Parashikimi i motit për ditët në vijim; Ja çfarë thonë meteorologët

Gjatë ditëve të fundit, i gjithë territori i Shqipërisë është përfshirë nga reshje të dendura shiu, si pasojë e të cilave nuk kanë munguar edhe përmbytjet në disa zona.

Qendra Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore në buletinin e saj flet për reshje intensive në pothuajse të gjithë territorin gjatë ditës së sotme, të cilat pritet të shkaktojnë përmbytje.

Meteorologia e Meteoalb Adiola Bani thotë se përmirësim të lehtë do të kemi në orët e vona të mbrëmjes së sotme, i cili sipas saj do të vijojë edhe gjatë fundjavës. Pra pritet që deri të dielën të kemi shira me dendësi të ulët dhe herë pas here edhe me kthjellime kalimtare.

Meteorologia thotë se gjatë ditës së sotme kemi pasur një rënie të temperaturave me 2 gradë Celsius, ndërsa gjatë fundjavës do të kemi një rënie me 3 gradë Celsius. Sipas saj vlerat më të ulëta dhe më të larta do të vijojnë nga 2 gradë Celsius në orët e para të mëngjesit deri në 18 gradë Celsius në orët e mesditës, kjo në varësi edhe të rajoneve përkatëse.

E thënë me fjalë të përmbledhura pritet të kemi një fundjavë të freskët me reshje të pakta/lehta shiu.

Meteorologia thotë gjithashtu se përafërsisht gjysma e parë e nëntorit pritet të mbizotërohet nga vranësira të dendura dhe reshje shiu.

Ajo shton gjithashtu se nëntori është muaji më i lagësht i vitit, pra muaji që sjell sasinë më të lartë të shiut në territorin shqiptar dhe është karakteristikë e klimës sonë, e klimës mesdhetare.

/bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu