Bashkia Bulqizë miraton Planin për Kujdesin Social 2019-2023

Bulqizë | Bashkia Bulqizë ka miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak Planin e Kujdesit Social 2019-2023. Ky plan ka për qëllim të hartojë një politikë të qartë lokale për sigurimin e shërbimeve të kujdesit social. Ai do të shërbejë si një udhërrëfyes për administratën e bashkisë në përmbushje të misionit të saj për të ndihmuar individët, familjet dhe grupet të cilët nuk kanë mundësi t’ia dalin vetë.

Plani për Kujdesin Social është hartuar nga Bashkia Bulqizë në konsultim me përfaqësues të institucioneve vendore dhe shoqërisë civile, me mbështetjen teknike të Fondacionit “Ndihmë për Fëmijët” në kuadër të Programit të përbashkët të Kombeve te Bashkuara “Askush Të Mos Mbetet Pas” që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nën mbikëqyrjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP. 

Reforma në fushën e shërbimeve sociale ka në themel të saj ngritjen e shërbimeve në nivel komunitar, atje ku janë individët, familjet dhe grupet në nevojë, në mënyrë që ata të vet-funksionojnë, të jenë të pavarur dhe të përfshihen si të barabartë me anëtarët e tjerë të shoqërisë. Kjo reformë shkon në harmoni me procesin e decentralizimit të kompetencave dhe përgjegjësive të pushtetit vendor për krijimin e një sistemi komunitar shërbimesh, ku individi ndihmohet dhe mbështetet në mjedisin ku ai jeton, duke respektuar, personalitetin, vlerat, aftësitë, veçoritë, preferencat dhe burimet e tij. 

Plani i Kujdesit Social i Bashkisë Bulqizë bën një fotografim të situatës sociale dhe ekonomike të komunitetit që jeton në territorin e kësaj bashkie si dhe një analizë të nevojave të grupeve të veçanta të këtij komuniteti për shërbime të kujdesit social. 

Plani tregon rrugën dhe qasjen për të adresuar nevojat për shërbime sociale të grupeve të përjashtuara, jep zgjidhjet për të përballuar vështirësitë dhe inkurajon përhapjen e parimit të bashkëjetesës sociale në të gjithë territorin e bashkisë. 

Ai shpreh vullnetin politik dhe moral të qeverisë vendore për t’u angazhuar në zgjidhjen e problemeve sociale të komunitetit jo vetëm me burime publike vendore por edhe duke ndërtuar partneritete efikase me shoqërinë civile, biznesin dhe partnerët ndërkombëtarë, duke i dhënë një dimension të ri rolit të të gjithë aktorëve në ofrimin e shërbimeve sociale.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu