Bashkia Bulqizë publikon Planin e Performancës Buxhetore 2020-2022; Ja si do shpenzohen të ardhurat

Bulqizë | Bashkia Bulqizë ka publikuar planin buxhetor afatmesëm 2020-2022. Peshën kryesore sipas këtij programi, pas menaxhimit dhe administrimit, duket se do e zërë kujdesi social ndaj personave me aftësi të kufizuara, ndjekur më pas nga projektet zhvillimore, kujdesi social për familjet dhe fëmijët, dhe arsimi bazë përfshirë arsimin parashkollor.

Gjatë periudhës 2020-2022, bashkia parashikon një rritje mesatare të burimeve të veta prej 3% dhe një rritje mesatare të transfertave qeveritare prej 18%.

Sipas këqyrjes së këtij plani, rezulton se:

  1. Planifikimi, menaxhimi dhe administrata bashkiake do të zërë 25% të buxhetit bashkiak.
  2. Kujdesi social ndaj personave me aftësi të kufizuara do të rëndojë 20%.
  3. Projektet zhvillimore 14%.
  4. Kujdesi social për familjet dhe fëmijët 11%.
  5. Arsimi bazë përfshirë arsimin parashkollor 9%.

Ndërkohë, sa i përket investimeve të parashikuara, pritet që përgjatë vitit 2020 të kemi një rënie me 17%, përgjatë vitit 2021 të kemi një rritje me 1%, ndërsa përgjatë vitit 2022 pritet që të kemi një rritje të investimeve me 15%.

Programet më të mbështetura rezultojnë të jenë: rrjeti rrugor rural 70%, menaxhimi i ujrave të zeza dhe kanalizimeve 16%, zhvillimi ekonomik 3%, shërbimet e tregjeve, akreditimi dhe inspektimi 3%, shërbimet bujqësore 2% dhe menaxhimi i mbetjeve 1%.

Në tabelën e mëposhtme do të gjeni vlerën totale të kontratave të investimeve të parashikuara për tre vite dhe listën emërore të projekteve.

Kujtojmë që Bashkia Bulqizë siguron rreth 51% të të ardhurave buxhetore nga burimet e veta: taksa; tarifa; dhe të ardhura të tjera prej menaxhimit të aseteve apo donacioneve, plus shpenzime të trashëguara nga viti i kaluar, ndërsa rreth 49% prej transfertave të qeverisë, qofshin ato të pakushtëzuara apo kushtëzuara. 

Bashkia Bulqizë mbështet financiarisht të gjitha shërbimet publike ligjore që i mandaton ligji duke filluar nga shërbimet e përgjithshme publike si: menaxhimi i hapësirave publike; mirëmbajtja e varrezave; ndriçimi i hapësirave publike; mirëmbajtja dhe investime në infrastrukturën rrugore dhe atë të lagjeve; shërbimet e çerdheve dhe kopshteve; planifikimin urban; zhvillimin e ekonomisë vendore dhe turizmit; shërbimet sociale për shtresat në nevojë; sigurimin e infrastrukturës së institucioneve arsimore parashkollore dhe bazë; parauniversitare; qendrat e shëndetit parësor; aktivitetet kulturore artistike; menaxhimin e mbetjeve bashkiake; ofrimin e ujit të pijshëm dhe menaxhmin e kanalizimeve sanitare dhe trajtimin e ujërave të ndotura; mbrotjen e mjedisit; pyjeve kullotave; emergjencat civile; menaxhimin e sistemit të kanaleve kulluese dhe vaditëse etj. 

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu