U kapën duke pirë cigare në aeroport, FFK përjashton tre lojtarët nga kombëtarja

Prishtinë – Federata e Futbollit e Kosovës, ka njoftuar se Këshilli për çështje emergjente ka mbajtur mbledhje dhe ka analizuar pjesëmarrjen e Kosovës në futsall në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian 2022 në Gjeorgji duke përjashtuar tre lojtarë.

FFK, ka njoftuar se Këshilli për çështje emergjente i ka përjashtuar tre futbollistë nga Kombëtarja e Kosovës në futsall, pasi këta të fundit ishin kapur duke pirë cigare.

Futbollistët e përjashtuar janë, Oso Gjinovci, Bajram Ramadani dhe Dardan Topilla. Ata u fotografuan më 28 janar në aeroportin ‘Adem Jashari’ të cilët para se të udhëtonin drejt Gjeorgjisë ndezën cigare. Përfaqësuesja kosovare në futsallë u paraqit në Tbilisi, për të luajtur tre ndeshjet e vlefshme për Euro 2022 në futsallë, ku mori një fitore 4-2 ndaj Austrisë dhe dy humbje 6-1 nga Gjeorgjia dhe 8-4 nga Gjermania duke u eleminuar pasi u rendit e treta në grupin F.
Njoftimi i plotë i Federatës Kosovare të Futbollit:

Këshilli për çështje emergjente i FFK-së ka mbajtur mbledhje dhe ka analizuar dhe shqyrtuar pjesëmarrjen e Kombëtares së futsallit në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin evropian 2022 në Gjeorgji dhe ka konstatuar se kjo Kombëtare nuk pati rezultatet të mira, duke mos arritur të përmbush objektivat e saj për kualifikim për rrethin elitë. Po ashtu Këshilli për çështje emergjente ka analizuar me kujdes edhe paraqitjet individuale dhe sjelljet e futbollistëve në këto ndeshje, duke konstatuar se sjellja e disa futbollistëve nuk ishte në nivelin e duhur përfaqësues, ngase bartja dhe mbrojtja e fanellës së Kombëtares së Kosovës janë detyra dhe obligime të shenjta për secilin futbollist, që kërkon sjellje dinjitoze jo vetëm në lojë por edhe jashtë lojës. Kështu që futbollistët, Oso Gjinovci, Bajram Ramdani dhe Dardan Topilla, gjatë udhëtimit për Gjeorgji kanë pasur sjellje që nuk përkojnë me Rregullat e etikës së një futbollisti përfaqësues, ndaj Këshilli për çështje emergjente ka marrë vendim për përjashtimin e tyre nga ekipi kombëtar. Këshilli për çështje emergjente beson se kjo masë do të ndikojë tek këta futbollistë dhe tek të tjerët që të kenë kujdes, kur veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës.
Këshilli për Çështje Emergjente i FFK-së.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu