Vuçiç: “Sapo të hiqet taksa” Serbia e gatshme t’i kthehet dialogut me Kosovën

“Sapo të hiqet taksa” Serbia është e gatshme t’i kthehet dialogut me Kosovën, deklaroi presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Vuçiç u takua me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

“Kemi pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë- që nuk është kurrë e lehtë për ne- por unë jam i kënaqur që Richard Grenell është aq i vendosur për heqjen e taksës”, ka shkruar Vuçiç në rrjetin social Instagram.

Vuçiç ka thënë se nesër (14 shkurt) në Mynih do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për linjën hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Grupet punuese nga Kosova dhe Serbia udhëtuan më 27 janar në Berlin të Gjermanisë, për të diskutuar me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell rreth vendosjes së linjës hekurudhore midis dy vendeve.

Bisedimet pasuan arritjen e një marrëveshjeje për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, për të cilën presidenti i SHBA-së kishte deklaruar se është “një fitore”.

Takimet zhvillohen disa ditë pasi ambasadori Grenell ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë taksën e vendosur më 2018 ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, në mënyrë që të zhbllokohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu