Konstituohet Këshilli Bashkiak i Bulqizës, kryebashkiaku i ri Lefter Alla bën betimin

Kryetari i ri i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla merr zyrtarisht detyrën për një mandat 4-vjeçar.

Bulqizë – Gjatë ditës së sotme (5 gusht), në ambientet e bashkisë së Bulqizës është kryer konstituimi i këshillit të ri bashkiak.

Mbledhja u zhvillua në orën 11:00 dhe të pranishën në të ishin zv.ministri i Brendshëm Besfor Lamallari, deputetja Almira Xhembulla, Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu, etj.

Lidhur me shpërndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak të Bashkisë Bulqizë brenda koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, u krye në këtë formë:

  1. Partia Socialiste e Shqipërisë: 7
  2. Partia e Gjelbër: 1
  3. Partia Kristian Demokrate: 1
  4. Partia e Reformave Demokratike Shqiptare: 1
  5. Partia Uniteti Kombëtar: 2
  6. Partia Demokracia Sociale: 1
  7. Partia Socialpunëtore Shqiptare: 1
  8. Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë: 1
  9. Partia Aleanca Demokratike Shqiptare: 2
  10. Partia G99: 1
  11. Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet: 1
  12. Partia Ardhmëria Shqiptare: 1

Në fjalën e saj, deputetja Almira Xhembulla, shprehu kënaqësi që ishte pjesëmarrëse në një ditë të tillë pas procesit të 30 qershorit.

Ajo i kërkoi kryetarit Alla të fillojë një kapitull të ri për qytetarët e bashkisë Bulqizë.

Gjithashtu, deputetja Xhembulla u bëri thirrje edhe këshilltarëve të rinj, duke u shprehur që “të jenë kërkues dhe bashkëpunues, të denjë për të përfaqësuar popullin e tyre”.

Pas fjalës së deputetes Xehmbulla, zëvendësministri i Brendshëm, Besfor Lamallari vlerësoi procesin e qetë zgjedhor që u zhvillua më 30 qershor në Bashkinë Bulqizë.

Ai uroi kryetarin dhe këshilltarët e rinj në detyrën e tyre, duke u bërë thirrje që t’u përgjigjen nevojave të çdo qytetari të kësaj bashkie, pa dallim bindjesh politike.

Drejtuar kryetarit dhe këshillit të ri bashkiak, Lamallari u shpreh se: Ju jeni mbështetja më e madhe për kryetarin e bashkisë. Kryetari ka një barrë të madhe, pasi do t’i duhet të përfaqësojë jo vetem ata që e votuan, por gjithkënd tjetër.

Kryetar i Këshillit Bashkiak të Bulqizës u zgjodh Gëzim Xhafa, me 14 vota nga 19 pjesëmarrës në total.

Pas përfundimit të të gjithave procedurave të konstituimit dhe mbajtjes së fjalës nga të pranishmit, erdhi edhe momenti i betimit të kryebashkiakut të ri z.Alla.

Shiriti i kryebashkiakut, Allës i’u dorëzua nga ish-kryebashkiaku i deritanishëm, Melaim Damzi.

Gjatë fjalës së tij përpara këshillit të ri bashkiak, Alla shprehu falënderimin për votëbesimin e qytetarëve bulqizakë, duke e cilësuar këtë si një detyrë dhe përgjegjësi të përbashkët për të dhe për gjithësecilin prej tyre.

Ai u shpreh i vetëdijëshëm për barrën që bart dhe kërkoi bashkëpunimin e angazhimin e sinqertë e të të gjithë anëtarëve, për ta përmbushur sa më denjësisht misionin që kanë mbi supe.

Fjalimi i plotë i kryebashkiakut Alla, pa ndërhyrje:

Të dashur kolegë,

Do ta vlerësoja këtë moment si shumë të rëndësishëm jo vetëm për karrierën time dhe tuajën në detyrat që po marrim, por akoma më shumë për fatin e Bulqizës dhe të gjithë banorëve që jetojnë këtu.

E para gjë që dua të theksoj, është se ne të gjithë, jemi këtu falë votëbesimit që na kanë dhënë banorët e bashkisë tonë. Është detyrim dhe përgjegjësi e gjithësecilit prej nesh që të mos i zhgënjejmë ata për besimin dhe mbështetjen që na dhanë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndoshta në një nga momentet më të jashtëzakonshme që ka shoqëruar periudhën e pluralizmit politik në vendin tonë.

Sigurisht që unë do të kem barrën dhe përgjegjësitë e mia përgjatë katër viteve të ardhshme, për t’i qëndruar besnik çdo premtimi të dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Por, siç ndodh gjerësisht, suksesi i çdo nisme varet edhe nga angazhimi, përpjekja, këmbëngulja dhe mbi të gjitha sinqeriteti i anëtarëve të ekipit me të cilin bashkëpunon. Unë jam shpresëplotë dhe besimplotë se gjithësecili prej jush do të tregojë angazhim maksimal në këtë detyrë. Siç edhe shpresoj se të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën për Bashkinë tonë, për banorët e saj, falë të cilëve ne kemi privilegjin të jemi sot në këtë sallë.

Lutja ime ndaj jush është që të ndjekim me përpikmëri problemet dhe nevojat e trashëguara dhe ato që mund të lindin gjatë viteve në vijim, dhe të sugjerojmë dhe ofrojmë zgjidhje e mundësi reale për secilën prej tyre. Katër vitet e ardhshme duhet të na gjejnë aty ku qytetarët tanë kanë nevojë, aty ku ka probleme sociale dhe ekonomike, aty ku ka nevojë për infrastrukturë, aty ku ka probleme me furnizimin me ujë, aty ku mungojnë kanalet vaditëse, etj., dhe të kontribuojmë për t’i zgjidhur ato sa më parë.

Të dashur kolegë,

Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Përpara kemi katër vite, të cilat sado të gjata të duken se janë, sërish kalojnë shumë shpejt. Këto katër vite mund të jenë shumë pak, përballë nevojave të shumta që ka bashkia jonë. Prandaj, unë ju ftoj të nisim punën sa më parë, me përgjegjësi dhe në mënyrë të padisktueshme të jemi kritikët më të mëdhenj të vetes dhe të punës tonë. Do të jetë ky vetë-kontroll dhe kjo vetë-kritikë të cilat do të na bëjnë neve më produktivë dhe më të suksesshëm në detyrat që na presin.

Angazhimi që kemi përpara nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm një detyrë e përshkruar në letra, por duhet të jetë një mision për gjithësecilin prej nesh.

Prandaj, unë ju uroj të gjithëve shumë suksese në punën dhe misionin tuaj! /bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu