Xhonsoni humbet shumicën në Kuvendin e Britanisë

Londër – Deputeti konservator në parlamentin britanik, Philip Lee, ka zënë vendin e tij në ulëset e opozitës, që sipas mediave britanike, do të thotë se kryeministri britanik, Boris Johnson, ka humbur shumicën në parlament.

“Qeveria konservatore po e vazhdon në mënyrë agresive procesin e Brexit-it me pasoja të dëmshme. Ai po rrezikon, kërcënon padrejtësisht integritetin e Britanisë së Madhe”, – tha Lee pasi u bashkua me radhët e opozitës në parlament.

Kryeministri, Boris Johnson, u tha deputetëve se ai dëshironte një dalje të negociuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Ai shtoi se planet e deputetëve për të miratuar legjislacionin që bllokon daljen pa marrëveshje më 31 tetor “shkatërrojnë çdo mundësi për të negociuar një marrëveshje të re”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu tha se vendi do të largohej nga BE deri më 31 tetor “në të gjitha rrethanat”.

“Nuk do të ketë më vonesë të pakuptimtë”, – shtoi Johnson.

Johnson tha gjithashtu se nëse Parlamenti miraton legjislacionin që kërkon nga ai të shkojë në Bruksel, dhe të kërkojë një zgjatje të afatit të Brexit-it, ai do të veprojë ashtu, sipas ligjit.

Sipas një projektligji të përgatitur nga opozita dhe deputetët e pakënaqur të Partisë Konservatore në pushtet, kryeministri do të duhej të kërkonte shtyrjen e Brexit-it deri më 31 janar të vitit të ardhshëm, përveç nëse deputetët miratojnë një marrëveshje të re me BE-në ose votojnë për Brexit-it pa marrëveshje. /bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu