Arrestimi i 115 bastexhinjve; Si arriti policia të zbulonte skemën e basteve

Tiranë | Disa agjentë të infiltruar kanë mundur të zbulojnë gjithë skemën se si funksiononte grupi prej 115 personash në veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit. Agjentët janë hequr si lojtarë të basteve dhe kanë kryer blerjeve të stimuluara të krediteve tek organizatorët. Ndërkohë që krahas tyre prokuroria me vendim gjykate kishte nisur përgjimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet.

Grupi i 115 të arrestuarve si bastexhinj javën e shkuar është zbuluar nga policia nëpërmjet infiltrimit të agjentëve të saj, të cilët kanë kryer rolin e lojtarëve të basteve.

Këta agjentë të autorizuar për veprimet e tyre edhe nga Prokuroria e Tiranës, duke u hequr si klientë, kanë mundur të depërtojnë brenda rrjetit që organizonte lojëra fati dhe të zbërthejnë skemën e plotë se si vepronte ky grup.

Ndërkohë që paralelisht prokuroria me vendim gjykate kishte nisur përgjimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet.

Bazuar në një dokument të provave dhe fakteve të mbledhura nga policia e Prokuroria, bëhet e ditur se agjentët e infiltruar kishin kryer blerje të stimuluar të krediteve nga shtetasi Elvis Mulaj, i cili rezulton të jetë dhe një nga organizatorët kryesor të grupit.

Në bazë të provave gjithashtu evidentohen dhe disa prej bisedave të gjetura në telefonat celular, të cilat sipas akuzës provojnë aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Në telefonin e të arrestuarit Sotion Boneci, janë gjetur biseda ku ai i kërkon klientëve që të hapnin një llogari bankare me 5 milionë lekë dhe 5 mijë euro për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Në një tjetër përgjim të Prokurorisë evidentohen biseda të shtetasit Renato Seitllari i cili interesohet për të mos arrestuar dy shtetas të shoqëruar më parë në komisariatin e policisë nr.2 në Tiranë të cilët janë proceduar në gjendje të lirë për lojërat e fatit.

Ky shtetas gjithashtu kërkon dhe ndihmën e një avokati, që të marrë telefonat e të arrestuarve që të mos ju sekuestrohen.

Policia i ka sekuestruar këtij shtetasi një telefon të cilin ai nuk ka pranuar ta hapë për tu këqyrur.

Këta shtetas kanë dalë para gjykatës për tu njohur me masat e sigurisë lidhur me akuzat e organizimit të lojërave të fatit.

Të dielën dolën 30 të arrestuarit e parë, ku gjykata la në burg 16 prej tyre, 9 të tjerëve iu caktoi detyrim paraqitje dhe 5 në arrest shtëpie.

Këtë të hënë pritet të jepet vendimi edhe për 87 të arrestuarit e tjerë.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu