
Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë
Tiranë | Megjithëse prej 14 vitesh leksikografët kanë nisur përpjekjet për hartimin e fjalorit të madh të gjuhës shqipe me mbi 100 mijë fjalë , konkretizimi ende mbetet i largët, edhe pse Akademia e Shkencave e ka përfshirë në objektivat e saj.
Leksikografi dhe drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Valter Memisha, thotë se hartimi i fjalorit të Gjuhës Shqipe është domosdoshmëri. Botimi i fjalorit me mbi 100 mijë fjalë ka nisur që në 2006, por realizimi i tij mund të kryhet vetëm me bashkëpunim mbarëkombëtar, qoftë në burime njerëzore ashtu edhe financiare.
“Ka kaluar koha, të gjithë leksikografët profesionistë janë në pension. Të gjithë leksikografët janë mbi 75-vjeç, sa orë mund të punojnë. Duhen kapitale njerëzore dhe financiare”, shprehet Memisha.
Specialisti i gjuhës thotë se për hartimin e këtij fjalori, duhet një bashkëpunim mbarëkombëtar.
“Duke kërkuar bashkëpunimin e institucioneve që mbrojnë shqipen në Maqedoni, Mal të Zi por edhe më tej, si arbëreshët e Italisë. Duhen burime financiare, nëse do të kishte para në dispozicion do të thërrisnim forca ndihmëse”, u shpreh ai.
Shqipja sipas Memishës ka në përdorim 400 mijë fjalë, të cilat duhen të përfshihen në një fjalor tjetër, po aq të rëndësishëm sa ai normativ.
“Nuk kemi fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe, që nënkupton fjalorin thesar, i cili do të përfshijë të gjitha fjalët që ka patur shqipja në përdorim që nga dokumenti i parë”, u shpreh ai.
Leksikografi dhe drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Valter Memisha, si pengesë sheh mungesën e specialistëve dhe fondet që kërkon relizimi i fjalorit të tillë.
Aktualisht janë në përdorim fjalori normativ i Gjuhës Shqipe, i vitit 1980 me 40 mijë fjalë, 4 vite më pas u botua fjalori me karakter më praktik. Pas rënies së sistemit komunist, u pa e domosdoshme hartimi i një fjalori, i cili u botua në vitin 2006 dhe përmban 48 mijë fjalë.