
Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se për fat të keq parashikojnë qindra të prekur në Shqipëri nga koronavirusi. Por për të parandaluar këtë situatë, ajo u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë rregullat me seriozitet maksimal.
‘Ne kemi disa skenarë, parashikojmë disa qindra të prekur në Shqipëri, që padyshim duhet t’u ofrojmë mundësi të marrin shërbimin, por nëse nuk i zbatojmë rregullat, nëse nuk merr masat e duhura, vendos në rrezik sistemin shëndetësor, pasi nuk e përballon fluksin në spitale për rastet që duhet të trajtohen. Sistemi duhet të trajtojë të gjitha rastet për sëmundjet e tjera. Sa më shumë të zbatojmë masat do të kemi më pak kosto. Duhet të reflektojmë mbi sjelljen individuale” tha ministrja.
‘Akti normativ është gati dhe në orët në vijim do formatizohet për të vendosur sanksionet në lidhje me masat dhe jemi munduar të krijojmë një ekuilibër në një kohë aspak të zakonshme. Kemi vendosur ndalimin e aktivitetit të gjitha bar-eve dhe restoranteve dhe ta shoqërojmë këtë me një sanksion nëse ata tentojnë ta hapin aktivitetin. Megjithatë duhet të falënderoj një pjesë të madhe që janë ndërgjegjësuar vetë dhe e kanë mbyllur aktivitetin. Do të bëjmë ndalimin e transportit urban në Tiranë dhe Durrës, sepse këto janë qytete më të mëdha dhe me një numër të prekur më lartë në krahasim më vendet e tjera. Asnjë shet nuk e ndali dot përhapjen e virusit, por ka shumë mundësi se si ndërton sistemin mbrojtës dhe këto masa janë pikërisht për mbrojtjen tonë. Ajo që u ndodhi vendeve që nuk i morën këto masa në momentin e shpërthimit, të mos na ndodhi ne. Po i marrim që në momentin e shpërthimit këto masa për të frenuar përhapjen, numri i të infektuarve do të rritet dhe mos u çudisni.” tha Rama.