Tiranë- Presidenti Meta, gjatë ditës së sotme, ka kryer testin e dyfishtë të koronavirusit, për të hequr çdo dyshim se nuk është i infektuar nga COVID-19.
Meta rezultoi negativ dhe bashkë me kabinetin e tij dhuruan gjak pranë Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, por nuk ishin të pajisur me maska mbrojtëse.
“Të jeni të sigurtë se vij këtu pasi kam bërë një test të dyfishtë. Nuk kam kontaktuar askënd. Kam bërë gjithçka për të ruajtur distancat e domosdoshme. Ju kam tërhequr edhe ju vëmendjen që të mos rrini kaq pranë njëri-tjetrit, dhe ju përgëzoj që përdorni maskat!”, tha Meta duke iu përgjigjur gazetarëve.
Meta tha se “Task Forcs” në Presidencë për koronavirusin nuk zëvendëson apo dublon “Task Force”-n e qeverisë. Kreu i shtetit tha se duhet gjetur edhe një numër tjetër i gjelbër përveç 127-ës.
“Të gjithë ta kenë parasysh t’i referohen numrin 127, por ndoshta duhet parë mundësia edhe për ndonjë numër tjetër për të përballuar fluksin, kërkesat apo sqarimet, që kanë qytetarët. Të gjithë po bëjnë përpjekjet më të mira dhe vetëm të gjithë së bashku do ta kalojmë këtë situatë me sa më shumë kujdes, por e theksoj, edhe pa panik”, tha presidenti.
Në përfundim, apeli i Metës ishte “për të gjithë dhuruesit e qëndrueshëm, për vullnetarët e dhurimit të gjakut, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer në vazhdimësi”.