A do rihapen shkollat më 23 mars? Ministrja Besa Shahini u përgjigjet pyetjeve

Tiranë | Nëpërmjet një videomesazhi të ndarë në rrjetin shoqëror “Facebook”, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme rreth anulimit të procesit mësimor në shkolla për shkak të koronavirusit.

Ajo u shpreh se mësimi virtual që po zhvillohet në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit, po ecën më mirë sesa ishte menduar.

“Jemi në javën e dytë të zhvillimit të mësimit nga shtëpia dhe po ecën më mirë se sa e kemi paramenduar. Rreth 80% të nxënësve janë tashmë në kontakt direkt me mësuesit e tyre”.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë mësuesve që nuk kanë rënë ende në komunikim me nxënësit e tyre që ta bëjnë sa më parë, në mënyrë që edhe ky grup i vogël nxënësish të mos mbetet mbrapa me mësime.

Në video-mesazh, Ministrja Shahini nënvizon se gjatë këtyre dy ditëve të fundit ka patur një pyetje që është ngritur nga një numër i madh nxënësish e mësuesish, e cila ka ta bëjë me vlerësimin:

“Ne po mendojmë dhe vlerësojmë se është e nevojshme që kur të kthehemi në shkolla, të bëjmë një përsëritje të shpejtë, por ngaqë një pjesë të madhe e mësuesve dhe nxënësve kanë rënë tashmë në kontakt dhe kanë vijuar procesin normal të mësimit, por në një format tjetër, nuk do të jetë e nevojshme që të përsërisim gjithçka me tempon e zakonshme të përsëritjes”.

Ajo dhe nënvizon se MASR është duke përgatitur një udhëzim në lidhje me vlerësimin në qoftë se jemi të detyruar ta shtyjmë mësimin nga shtëpia përtej datës 23 mars:

“Një vendim që nuk është marrë ende, por nëse merret, ne do të jemi të gatshëm që mësuesit t’i orientojmë drejt një vlerësimi që mund të bëhet përmes rrjeteve sociale, i cili do t’i mundësojë mësuesve të vlerësojnë nxënësit e njohuritë e tyre që kanë arritur deri në këtë pikë dhe të mund të vijojnë pastaj mësimin e zakonshëm pas kthimit në shkollë. Por, kjo është diçka që do t’ju informojmë më shumë ditët në vijim kur të marrim vesh nëse do ta kemi të nevojshme ta shtyjmë procesin e mësimit nga shtëpia përtej datës 23 mars”.

Në fund të video-mesazhit, Ministrja Shahini përcjell edhe një kërkesë për të gjithë mësuesit dhe prindërit që po punojnë tashmë përmes rrjeteve sociale:

“Duam që të na sillni modelet e punës suaj në mënyrë që të krijojmë një udhëzues për të gjithë mësuesit me format më të mira dhe më praktike të punës mes mësuesve dhe nxënësve. Disa mësues tashmë kanë komunikuar me neve dhe na kanë sjellë modelet që ata kanë përdorur. Kanë qenë shumë të vlefshme, i kemi ndarë me mësuesit e tjerë, por menduam dhe besojmë që do të ketë më shumë modele se sa këto që na kanë sjellë deri tani. Kështu që, ju bëjmë thirrje të na sillni sa më shumë nga modelet tuaja të punës që në rast se kemi nevojë ta zgjasim procesin e mësimit nga shtëpia të kemi sa më shumë shembuj praktikë për mësuesit dhe për nxënësit që të vijojë mësimi sa më normalisht që është e mundur”.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu