Hapja e negociatave/ Soreca: Në gjysmën e dytë të vitit Gjermania do të thërrasë konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE

TIRANË- Krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë dhe tryeza e rrumbullakët për Reformën Zgjedhore kanë qenë mjaft të rëndësishme për vendimin e shteteve anëtare të BE për të hapur negociatat me Shqipërinë.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ishte sot live në Facebook dhe Instagram dhe iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe qytetarëve, në lidhje me vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian për të hapur negociatat e pranimit në BE me Shqipërinë.

Në përgjigje të pyetjes se çfarë do të thotë ky vendim për Shqipërinë dhe cilat janë ato reforma për të cilat qeveria shqiptare arriti të bindë vendet anëtarë për këtë vendim unanim ndryshe nga tetori i kaluar, Soreca u shpreh se, “e rëndësishme për shtetet anëtare ka qenë, siç e kemi thënë që në tetor që Shqipëria të bënte përparim, të kishte ecuri dhe përparime në muajt që do të vinin. Kjo është parë nga shtetet anëtare, pra puna që është bërë për çeljen e negociatave”.

Soreca renditi disa prej këtyre arrijteve, si, “krijimi i SPAK-ut, po ashtu emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, emërimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, lançimi i procedurës që do të përfundojë për pak ditë i kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Soreca nënvizoi se, “shumë e rëndësishme ama për shtetet anëtare ka qenë edhe tryeza e rrumbullakët për reformën zgjedhore. Kjo vërtetë ka qenë shumë e rëndësishme për shtetet anëtare, pasi u ka treguar atyre si dëshirën nga njëra anë, por edhe synimin dhe vullnetin e plotë të palëve politike në Shqipëri, jo vetëm për t’u ulur në tryezën e rrumbullakët së bashku, por edhe për të gjetur mënyrat e duhura për të ecur përpara për këtë çështje, e cila është kaq e rëndësishme për qytetarët shqiptarë”.

Soreca tha se, janë 4 kushte kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë para organizimit të konferencës ndërqeveritare. Këto 4 kushte janë: Reforma Zgjedhore, vijimi i reformës gjyqësore me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, implementimi i plotë i SPAK dhe BKH si dhe fuqizimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

“Duhet të flasim për kuadrin negociues, që është struktura e marrëdhënies mes BE-së dhe Shqipërisë, strukturë që do të jetë për vitet në vijim, në të cilën do të jenë të gjitha fushat e bashkëpunimit mes BE dhe Shqipërisë, por duke u përqendruar tek përparësitë kyçe si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në administratën publike, reforma në gjyqësor dhe  mbrojtja e të drejtave të njeriut”, tha Soreca.

Soreca theksoi se, “synimi është të përgatisim këtë kuadër negociues dhe ta dorëzojmë së bashku me raportin vjetor të KE-së në qershor, më pas do të jenë shtetet anëtare që do të vendosin për miratimin ose jo të tij.  Kjo do të ndodhë nëse Shqipëria do të përmbushë ato kërkesa për të cilat do të flasim. Më pas në gjysmën e dytë të 2020, do të jetë Gjermania shteti anëtar që do të ketë Presidencën e BE-së, e cila do të thërrasë konferencën e parë ndërqeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Kjo do të jetë hera e parë në të cilën do të kenë mundësi Shqipëri dhe BE që të ulen në këtë tryezë të përbashkët për këtë lloj konference”.

Soreca tha se “kushtet apo kërkesat që duhet të përmbushë Shqipëria në mënyrë që të ulet në këtë tryezë të përbashkët me BE për konferencën ndërqeveritare janë këto: Reformën zgjedhore të miratuar në linjë të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR që do të thotë transparenca, e financimit të partive politike, fushatave zgjedhore etj.

Së dyti shtoi Soreca, “vazhdimi i reformës në drejtësi, që do të thotë funksionimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë dhe këtu opinioni i Komisionit të Venecias do të merret parasysh natyrisht.

Së treti shtoi Soreca, “do të jetë edhe krijimi i strukturave të specializuara anti-korrupsion, pra këtu flasim për SPAK-un, për BKH-në  dhe funksionimin e plotë të tyre.

Po ashtu theksoi Soreca, “Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke bashkëpunuar me shtetet e BE në veçanti dhe për çështje që kanë të bëjnë me pastrimin e parave. Dhe këtu plani i veprimit është shumë i rëndësishëm”.

Soreca theksoi se, “puna duhet të vijojë për ato që janë përmendur në dokumentin e Këshillit; i cili flet për luftën kundër emigracionit të parregullt, shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e BE. Po, ashtu duhet bërë punë për  ndryshimin e ligjit për mediat, i rëndësishëm këtu do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. Kjo është një çështje e rëndësishme edhe për vetë BE. Puna duhet të vijojë edhe për ata elementë të tjerë, që janë përmendur që vjet në shtator në dokumentin e Bundestagut gjerman, ku u tregua qartë se cili ishte qëndrimi i Gjermansië. Po ashtu puna duhet të vazhdojë për çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, për mbrojtjen e pakicave kombëtare, për censusin, të drejtat e qytetarëve”.

“Grupi i parë i kushteve duhet të përmbushen përpara organizimit të konferencës ndërqeveritare. Pjesa tjetër do të jetë pjesë përbërëse e kuadrit negociues në vitet në vijim”, tha Soreca.

Dy ditë më parë BE-ja akordoi 50 milionë euro për Shqipërinë në përballimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit, ambasadori i BE-së e sqaroi se, “unë e kam thënë edhe dje, edhe pardje, që BE-ja ka premtuar një shifër prej 50 milionë euro për ta ndihmuar Shqipërinë për t’u përballur me krizën e COVID-19. 4 milionë euro do të jenë për nevojat më emergjente, me të cilat do të mbulohen blerja e ventilatorëve në spitale, por dhe pajisjeve për mbrojtjen personale. 11 milionë euro së shpejti do të investohen për mbrojtjen sociale. Kjo do të thotë që ne do të ndihmojmë qeverinë me programin e asistencës së vet ekonomike për shtresat më të cënueshme në shoqëri në Shqipëri. Ndërkohë që pjesa tjetër dhe pjesa më e amdhe, ka të bëjë me pjesën e ekonomisë, pasi bizneset, por edhe prodhimi në Shqipëri po vuajnë tashmë nga COVID-19 dhe ne do të japim mbështetjen tonë me 35 milionë euro që do të shkojnë pikërisht në këtë fushë.

Soreca tha se “këto para nuk janë kredi për Shqipërinë, por janë një grant, pra BE-ja po shpreh solidaritetin e plotë me Shqipërinë në këtë moment të vështirë. Pra nuk janë kredi, por grant për Shqipërinë”.

Soreca sqaroi gjithashtu se, “të gjitha ato miliona euro që janë premtuar në formë granti, do të jepen të tilla dhe nuk do të preken. 50 milionshi që po jepet për COVID-19 është tjetër dhe ato që u premtuan në konferencë janë të tjera”. /atsh

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu