“Nuk jemi vetëm”, Basha: Mirënjohje BE-së për ndihmën në kohë të vështira

TIRANË- “Nuk jemi vetëm! Mirënjohje Bashkimit Europian për mbështetjen dhe ndihmën në kohë të vështira”, u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të një videokonference me Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi.

Kreu i Demokratëve, Basha, duke falenderuar Komisionerin Barhelyi dhe BE-në për shprehjen e vullnetit pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë, thekson se opozita dhe PD do të bëjnë gjithçka që është në dorën tyre për të kontribuar për plotësimin e këtyre 15 kushteve.

“Plotësimi i 15 kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme për këtë, do të sjellin jo vetëm hapjen e negociatave, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e mirëqenies ekonomike për çdo familje shqiptare”,- thekson Basha.

“Komisionerin dhe Bashkimin Europian i falenderova edhe për ndihmën që i akorduan Shqipërisë për të përballuar pasojat e koronavirusit, dhe i kërkova të shohin çdo mundësi për ta shtuar këtë ndihmë, pasi përveç pamundësisë për plotësimin e nevojave në shëndetësi, Shqipëria është një vend me nivel të lartë varfërie dhe e ka të domosdoshme mbështetjen për familjet në nevojë, për shtresat në nevojë, për biznesin dhe për ekonominë”,- vijon Basha.

“I kërkova, po kështu, edhe mundësinë e ri-alokimit të fondeve brenda instrumentit të paraaderimit, që njihet si IPA, në drejtim të tre prioriteteve kryesore:  Mbështetje për shëndetësinë; Mbështetje sociale për njerëzit në nevojë; Mbështetje për biznesin dhe ekonominë shqiptare. Po kështu i kërkova komisionarit të bëjnë gjithçka për të na ndihmuar edhe me instrumentet e tjera në dispozicion të Bashkimit Europian, si Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”,- tha Basha.

“Të dashur bashkëqytetarë! Nuk jemi vetëm.  Pavarësisht ditëve të vështira që po kalojmë, të jeni besimplotë se ditë më të mira do të vijnë për ju, për familjet tuaja dhe për Shqipërinë”,-përfundon kreu i Demokratëve. /atsh

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu