Lleshaj inspekton masat në Lezhë: Nga nesër, standarde të reja në gjithë vendin për sigurinë në tregjet ushqimore

TIRANË– “Duke filluar nga nesër në të gjithë vendin do të aplikohen standarde të reja për sigurinë në tregjet ushqimore kryesisht, në fruta-perime dhe tregjet e hapura me qëllim që të ruhet distanca”, tha sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Lleshaj zhvilloi sot një inspektim të masave për parandalimin e COVID-19 në Lezhë, së bashku me Prefektin Gjokë Jaku, dhe Kryetarin e Bashkisë, Pjerin Ndreu dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në një prononcim për mediet Lleshaj u shpreh se, “munda të ballafaqohem sot paradite në Lezhë, pra këtu janë masat më të plota, më të mira dhe më të gjera. Gjej rastin t’i falenderoj të gjithë autoritetet, Kryetarin e Bashkisë, Prefektin, që i kanë dhënë një pamje tjetër qytetit”.

Megjithatë, theksoi Lleshaj, “sado mirë të jetë krahasimisht, prapë edhe këtu situata ka nevojë për t’u përmirësuar më tej dhe Kryetari i Bashkisë më garantoi që do të thellojë më tej masat, sidomos nëpër këto pikat problematike që janë tregjet e vogla të fruta perimeve ku ka më shumë grumbullim qytetarësh dhe tentativa për të mos i respektuar distancat”.

“Gjej rastin këtu t’i apeloj të gjithë qytetarët e Lezhës që të bëjnë maksimumin e tyre, të kufizojnë në maksimum vetëveten, për t’i dhënë shancet minimale përhapjes së më tejshme të virusit, i cili fatkeqësisht edhe në Lezhë pati një shpërthim të papritur dhe besoj që me masat e marra si në Lezhë, të cilat ftoj edhe kryetarët e tjerë të bashkive t’i ndjekin, besoj që do të kemi një rezultat pozitiv në finalen e kësaj përpjekjeje të madhe tonën”, tha Lleshaj.

I pyetur në lidhje me maskat dhe dorezat që duhet të mbajnë uniformat blu, Lleshaj tha se, “në fakt uniformat blu kanë maska edhe doreza, që qoftë se keni parë ndonjë që nuk i respekton dhe nuk i qëndron detyrimeve që ka marrë nga eprorët e tij, do të duhet që të marrim masa ne për të. Në përgjithësi, jo në përgjithësi, por të gjithë punonjësit e Policisë janë të pajisur me pajisjet mbrojtëse”./atsh

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu