Masat kundër COVID-19/ Balla: Kufiri i mbyllur, kush ka arsye të përligjur për t’u kthyer të njoftojë një nga tre konsullatat në Greqi

TIRANË- “Prej 20 ditësh nuk ka më hyrje-dalje në kufi pasi kjo është një luftë dhe lufta e ka imponuar këtë masë”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Balla sqaroi emigrantët shqiptarë që duan të kthehen në atdhe, mbi masat e vendosura për mbylljen e kufirit, si dhe çfarë parashikohet në rastet kur një gjë e tillë lejohet.

“Askush të mos mendojë se këta qytetarë janë jashtë vëmendjes së qeverisë shqiptare, por edhe ata duhet të kuptojnë se para se të nisen nga Athina apo vendet e tjera për t’u përplasur në pikat tona doganore duhet të konsultojnë se si janë rregullat në këtë luftë”, tha Balla.

Ai theksoi se “kush është rezident në Greqi nuk duhet të niset për të ardhur në pikat kufitare, pasi do të thotë se ka shtëpi”.

“Kryeministri sot ka njoftuar një masë edhe për këto raste qytetarësh që pa njoftuar askënd janë përplasur në kufi. Në fillim ne kishim vendosur se ata që ktheheshin do të vetëkarantinohen në shtëpi, por rezultoi se për shkak të këtij karantinimi kemi familjarë të tyre, apo vetë ata persona të prekur. Në këtë kontekst të ri, Kryeministri me të drejtë i konsultuar me OBSH dhe me eksperiencat e vendeve të tjera për të gjithë ata që nuk janë rezidentë por me afat qëndrimi 90-ditor dhe kanë një arsye të përligjur për t’u kthyer se duhet të njoftojnë një nga tre konsullatat tona dhe nëse nuk arrin dot, kemi 10 numra emergjence të publikuar nga Ministria”, tha Balla.

Balla tha se “përmes atyre numrave qytetarët regjistrohen dhe bëhet një vlerësim i situatës së personit dhe njoftohet pika e kalimit kufitar, por këtej e tutje nuk ka që të shkojnë më në shtëpi”.

Ai theksoi se “ata që do të vendosin të hyjnë në kufi kanë detyrimin të karantinohen për 14 ditë në një prej hoteleve pranë pikave kufitare”.

Duke folur për masat ekonomike, Balla tha se “ky shtet po paguan më shumë se sa ka këllqet e veta dhe sot jemi në ditën që kemi filluar pagesat e ‘luftës’”.

“Sot që flasim janë më shumë se 35 mijë biznese të vogla të regjistruara, por duhet të kuptoni janë më pak se 200 milionë të ardhura vetëm në 26 ditë të para të kësaj lufte që nuk e dimë asnjë se sa do të zgjasë”, tha Balla./atsh

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu