
TIRANË- Nën drejtimin e Presidentit Ilir Meta u zhvillua sot, nëpërmjet një video-konference, mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me situatën që po kalon vendi nga përhapja e pandemisë globale COVID-19.
Në këtë mbledhje morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe ministrat përgjegjës, ku çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës.
Kryetari i Kuvendit, Ruçi shprehu angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.
Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i thirrur në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga Presidenti Meta, shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit./atsh