
Tiranë | Një ngjarje e rëndë mësohet të ketë ndodhur pak ditë më parë në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Tre persona kanë ngacmuar, ndjekur dhe më pas kanë dhunuar 2 vajza në mes të rrugës, duke iu shkaktuar plagë në trup.
Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje janë zbuluar detaje të tjera nga dëshmia e vajzave për uniformat blu. I përfshirë në këtë sulm akuzohet edhe një personazh mjaft i njohur për policinë, ish-i dënuar për vrasje dhe plagosje.
Mësohet se dy vajzat kanë pësuar dëmtime të shumta në fytyrë dhe trup, kryesisht në gjymtyrë, por gjendja e tyre është e stabilizuar.
Vajzat me inicialet e emrave O., dhe D., kanë dëshmuar për policinë se sapo kishin dalë nga puna në një market, kur një makinë iu është afruar dhe tre djem që ndodheshin në të i kanë ngacmuar dhe iu kanë kërkuar të shkojnë me ta.
Fillimisht vajzat nuk kanë folur dhe ka vazhduar rrugën, por pasi vunë re se makina ka vijuar t’i ndjekë, iu kanë kërkuar tre autorëve të dyshuar t’i lënë rehat.
“Pasi i refuzuam, kaluan para nesh dhe ndaluan 50 metra më poshtë. Fikën makinën dhe pritën. Kur u afruam nisën të ofendonin e fyenin; çfarë…, ju duket vetja shumë të bukura që na refuzoni, dhe na kanë rrahur e qëlluar. Na kërcënuan. Më pas na kanë lënë aty e kanë ikur. Njoftuam vetë policinë dhe ambulancën”, – kanë dëshmuar vajzat.
Oficerët e policisë të Komisariatit nr. 1 kanë këqyrur kamerat e sigurisë dhe kanë identifikuar mjetin, i cili rezulton i marrë me qira nga një person. I thirrur në polici, qiradhënësi i makinës ka thënë se ia ka lënë në dorëzim Elidon Kotorrit mjetin. Në këto rrethana, policia e ka shpallur në kërkim këtë të fundit.
Nga verifikimet e policisë, i dyshuari Elidon Kotorri rezulton ish-i dënuar me burgim të përjetshëm për 3 vrasje dhe 1 plagosje, por i liruar pak kohë më parë nga gjykata e Strasburgut.