
Nju Xhersi | Një shqiptar i quajtur Luan Agolli është vrarë nga policia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ngjarja ka ndodhur në Petërson të Nju Xhersit, gjatë një skene me thirrje për t’u dorëzuar, e cila ka zgjatur për rreth një minutë.
Ngjarja ndodhi ditën e enjte, pasi policia mori një telefonatë nga qytetarët se një burrë me armë po qarkullonte në qytet.
(Kujdes! Pamjet janë të rënda)
Me aq sa raportojnë mediat amerikane nuk dihet ende se cili ka qenë shkaku që Agolli është parë me armë në dorë, duke ia drejtuar njëherë vetes dhe njëherë punonjësve të policisë. Megjithatë ai dyshohet se kishte kaluar në gjendje të rënduar depresive.
Dëshmitarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes kanë filmuar gjithçka, deri në momentin kur policia kreu ekzekutimin e 42-vjeçarit shqiptar, pasi ky i fundit iu drejtoi armën.
Lidhur me këtë vrasje, prokurorët kanë hapur një hetim të thelluar për të parë nëse veprimet e policisë që ekzekutuan 42-vjeçarin kanë qenë në përputhje të plotë me zbatimin e ligjit amerikan.