
TIRANË- Në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka sqaruar se nuk ka rënë zjarr në institucion.
“Zbulimi” i bërë sot nga PD i referohet një emaili “tërheqje vëmendje” të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni. Duke bërë publik këtë email, i cili dërgohet rëndom nëpër institucione për t’u tërhequr vëmendjen punonjësve, PD ka demonstruar edhe një herë se protokollet e sigurisë dhe masat disiplinore në MSHMS, funksionojnë më së miri.
“Sikundër e kemi deklaruar që në krye të herës, ministria e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë. Njëkohësisht, i bëjmë në mënyrë të përsëritur thirrje PD që të ndalë fushatën e shpifjeve dhe të presë me durim fjalën e drejtësisë”, përsërit ministria e Shëndetësisë.
Partia Demokratike publikoi sot një e-mail, sipas së cilëve është një provë e rëndësishme dhe vërteton që te Ministria e Shëndetësisë, në zyrën e prokurimeve ka rënë zjarr.
Në një deklaratë, Bardhi tha se “Manastirliu, gënjeu publikisht dje, duke fshehur faktin se në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente”.
Në një deklaratë për mediet, Spahia shprehet se “Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, të përfshijë në hetimin e kësaj çështje edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill, siç e tregon ky email zyrtar, si dhe fshehjen e të vërtetës nga Ministrja e Shëndetësisë, duke mohuar publikisht rënien e zjarrit.
Ai tha se “zjarri ka rënë në katin e Zyrës së Prokurimeve, ku ndodhen kontratat sekrete të tenderave korruptivë të denoncuar prej nesh që në datën 6 prill. Dhe se janë djegur dokumente, që më pas, janë shuar me ujë”.
Bardhi tha se “arsyet dhe përgjegjësit duhet t’i zbulojë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, që vazhdon të flerë mbi hirin e korrupsionit. Detyra jonë është të bëjmë publike provat: Se në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarr”./atsh