Kush jane 4 të fortët e Dibrës që u vunë sot në shënjestrën e OFL?

Dibër | Operacioni Forca e Ligjit ka zbarkuar këtë të martë në Dibër, ku u ka kërkuar deklarimin e pasurisë 4 personave, të dënuar më herët për vrasje dhe trafik narkotikësh. Bëhet fjalë për shtetasit; Uran Skuka, Artan Buci, Elton Daçi dhe Skënder Topalli.

  1. Uran Skuka është i dënuar për vrasje me motiv gjakmarrjen.
  2. Artan Bucit është i dënuar me 13.4 vite burg për vrasje në rrethana cilësuese.
  3. Elton Daçi është i dënuar me 5 vite burg për drogë.
  4. Skënder Topalli është i dënuar me 25 vite burg për vrasje me paramendim.

Uran Skuka, në shkurtin e vitit 2014 vrau kunatin e tij Basir Nikolli në fshatin Hotesh. Nëna e Uran Skukës, Naime Skuka, ishte vrarë një vit më parë nga nuset e autorit dhe viktimës. Skuka pasi qau në varrin e nënës së tij në përvjetorin e vdekjes, shkoi dhe vrau me automatik kunatin.

Ndërkohë, Elton Daçi është i njohur për kapjen e ngarkesës prej 2 ton hashash dhe me ngjarjen e vitit të kaluar, kur Gjykata e Matit e liroi nga burgu, vendim i cili u konsiderua si skandal.

Më parë OFL vetëm ka sekuestruar disa makina gjatë prillit në Dibër por kjo është hera e parë që dërgon formularë për deklarimin e pasurisë në këtë qark.

Njoftimi i plotë i policisë:

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

– U. S., banues në Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”;

– A. B., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;

– E. D., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, me 5 vjet burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;

– S. T., banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me 25 vjet burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu