Manastirliu vlerëson punën e punonjësve socialë: Asnjë i prekur me COVID-19

TIRANË-  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në Ditën Kombëtare të Jetimëve ka zgjedhur të shprehë mirënjohjen për të gjithë punonjëset e Institucioneve të Përkujdesit Social në të gjithë vendin.

Këta punonjës u izoluan brenda institucioneve për të mbrojtur fëmijët pa përkrahje prindërore, ata me aftësi ndryshe, të moshuarit që jetojnë në Shtëpitë e të Moshuarve, nga rreziku i infektimit nga COVID-19.

Nga shtëpia e foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, Manastirliu tha se janë 130 punonjës që zgjodhën t’u shërbejnë fëmijëve, të moshuarve, grupeve në nevojë duke qëndruar larg familjeve të tyre.

“Zgjodhëm këtë ditë të veçantë, që është Dita Botërore e Fëmijëve Jetimë për t’ju shprehur mirënjohjen më të thellë. Në çdo ditë të vitit ju bëni një punë të jashtëzakonshme me fëmijët pa përkrahje prindërore. Por në këto kohë të vështira, sakrifica juaj është e paçmuar. Ne vendosëm një strategji të vetizolimit të punonjësve socialë për të kufizuar rrezikun e përhapjes së COVID-19 dhe falë sakrificës tuaj kjo strategji rezultoi e suksesshme sepse asnjë person në qendrat tona sociale nuk është prekur nga ky virus i rrezikshëm”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar punën e bërë nga qendrat e kujdesit shoqëror në të gjithë vendin, Manastirliu tha se qeveria vendosi për shpërblimin e të gjithë punonjësve të këtyre qendrave që janë vetëkarantinuar në shërbim të fëmijëve dhe të moshuarve.

“Qeveria ka vendosur mbështetjen financiare për ju dhe së bashku me UNICEF që ka kontribuar po ashtu, përbëjnë paketën e plotë të mbështetjes në këtë periudhë të vështirë për të gjithë, ku pavarësisht angazhimit me situatën shëndetësore, ne ju kemi patur gjithmonë në fokus”, tha Manastirliu.

Drejtuesi i UNICEF në Shqipëri,  Roberto de Bernardo vlerësoi masat e marra nga qeveria shqiptare dhe u shpreh mbështetës për punonjësit e qendrave sociale, që i dhanë të gjithëve një provë të forcës dhe dashurisë që kapërcen çdo vështirësi.

“Ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme dhe keni të gjithë admirimin tonë dhe ne si UNICEF jemi shumë të lumtur që i jemi bashkëngjitur kësaj mbështetje për ju”, tha Roberto de Berndardo.

Që prej fillimit të epidemisë, punonjësit sociale në qendrat e përkujdesit janë izoluar në shërbim të fëmijëve, të moshuarve dhe grupeve vulnerabël. Grupi i parë tashmë është rikthyer në familje dhe pjesa tjetër e stafit janë në shërbim prej 20 ditësh në institucionet e kujdesit social, të vetizoluar. Masa e shpërblimit të miratuar nga qeveria është 55,000 lekë/muaj./atsh

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu