Ambasadorja Kim përshëndet vendimin e Bashës për të përfunduar Reformën Zgjedhore

Tiranë | Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Juri Kim ka përshëndetur vendimin e Partisë Demokratike dhe kreut të saj Lulzim Basha për të përfunduar Reformën Zgjedhore.

“Ne mirëpresim vendimin e Kryetarit të PD Lulzim Basha për të përfunduar reformën zgjedhore. Ne mezi presim liderë të tjerë që tregojnë udhëheqje të ngjashme.”, – shkruan ambasadorja Kim.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi sot në orën 11:30 ekspertët demokratë të Reformës Zgjedhore.

Në takim ishin Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enkelejd Alibeaj, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.  Mësohet se demokratët në këtë takim kanë bërë një bilanc për punën e deritanishme të komisionit dhe mënyrën sesi do të vijojë puna e tij.

Më herët, PD ka deklaruar se PS dhe kryeministri Edi Rama nuk kanë vullnet për ta çuar përpara reformën në drejtësi, për shkak se nuk ka dhënë përgjigje për asnjë nga propozimet e bëra nga përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik.

Përfundimi i reformës zgjedhore brenda një kohe sa më të shpejtë është shpallur si një nga prioritetet më të rëndësishme politike të PD dhe një mënyrë më e sigurtë për të shkuar drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu