Bashkia Bulqizë pjesë e Kartës Evropiane për Barazi të grave dhe burrave në jetën vendore

Bulqizë | Në vijim të iniciativës së Kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z.Lefter Alla për nënshkrimin e Kartës Evropiane për Barazi të grave dhe burrave në jetën vendore, u zhvillua dje takimi i parë online për hartimin e Planit Lokal të Veprimit për Barazinë Gjinore.

Në takim morën pjesë 16 përfaqësues nga Bashkia, Njësitë Administrative, shëndetësia, arsimi, Këshilli Bashkiak, si edhe Projekti i USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore.

Fotografia e Bashkia Bulqize Faqja Zyrtare

Diskutimi u përqendrua kryesisht mbi fushat kryesore të cilat do të përfshihen si pjesë e këtij plani veprimi, kohëzgjatjen e tij dhe vijimin e punës deri në përfundimin e këtij dokumenti.

Në mënyrë të veçantë Kryetari i Këshillit Bashkiak, Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Nënkryetarja e Bashkisë shprehën edhe një herë mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë për një dokument sa më gjithëpërfshirës.

Fotografia e Bashkia Bulqize Faqja Zyrtare

Me nënshkrimin e Kartës Evropiane për Barazi të grave dhe burrave në jetën vendore, Bashkia Bulqizë tashmë është zyrtarisht pjesë e 1796 bashkive dhe rajoneve të Evropës (dhe 10 bashkive të Shqipërisë) të cilat po e zbatojnë këtë Kartë. Ky plan lokal veprimi hartohet për një trajtim sa më efektiv dhe të drejtë të nevojave të grave, burrave, fëmijëve, të rejave dhe të rinjve, të moshuarave si dhe të gjithë komunitetit Bulqizës. Ai do të shërbejë si një mjet orientues i veprimeve të mëtejshme për të qenë gjithmonë pranë banorëve dhe për t’ju ofruar shërbimet e duhura me cilësi e në kohë. Ky aktivitet dhe hartimi i planit të veprimit po realizohen falë mbështetjes së PLGP/USAID.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu