Bulqizë; zhvillohet virtualisht trajnimi i Ekipit Teknik Ndërdisiplinar

Bulqizë | Në Bashkinë Bulqizë u zhvillua sot virtualisht trajnimi i Ekipit Teknik Ndërdisiplinar (ETN) të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në familje.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Komisariati i Policisë Bulqizë, Drejtoria e Shëndetit Publik Dibër, Qendra Shëndetësore Bulqizë, Zyra e punësimit Bulqizë, qendra AGRITRA Vision, Shërbimi Social Shtetëror Dibër, Zyra Vendore e Përmbarimit Dibër, psikologë dhe koordinatori vendor kundër dhunës në familje në Bashkinë Bulqizë.

Fotografia e Bashkia Bulqize Faqja Zyrtare

Pjesëmarrësit në takim u njohën nga afër me Protokollin e menaxhimit të rasteve të dhunës në familje në nivel vendor përmes Mekanizmit të Koordinuar të Referimit, si edhe çështje që lidhen me listën e shërbimeve ligjore falas, hartën e shërbimeve rezidenciale publike dhe jo publike të strehimit emergjent dhe afatgjatë për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, vlerësimin e nevojave të rastit, ndihmën individuale, referimin e rasteve si edhe monitorimin e zbatimit të urdhrave të mbrojtjes.

Trajnimi ishte interaktiv dhe pjesëmarrësit diskutuan dhe ndanë disa sfida si; denoncimi i rasteve të dhunës në familje, identifikimi i tyre, bashkëpunimi mes anëtarëve të ETN në identifikimin dhe menaxhimin e rasteve, roli aktiv i koordinatores vendore kundër dhunës në familje dhe ndjekja e rasteve në vijimësi, monitorimi i zbatimit të urdhrave të mbrojtjes nga koordinatorja vendore kundër dhunës në familje dhe raportimi periodik pranë policisë, strehëzat emergjente dhe roli i tyre në menaxhimin e rasteve të dhunës në familje gjatë COVID-19, etj.

Ky trajnim u organizua me mbështetjen e UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Suedisë.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu