Vijon peticioni i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit; artistët mbledhin firmat e qytetarëve në Durrës

Durrës | Artistët kanë udhëtuar pasditen e sotme drejt qytetit të Durrësit për të ftuar qytetarët të hedhin firmën për rindërtimin e Teatrit aty ku ishte dhe ashtu siç ishte.

Me dhjetëra qytetarë i janë bashkuar thirrjes së tyre duke u afruar të firmosin peticionin, ndërkohë që në podium të improvizuar artistët mbajtën edhe fjalime.

Gjatë fjalës së tij aktori Edmond Budina bëri thirrje se qytetarët duhet të ngrihen, duke shigjetuar edhe ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako për shkatërrim të trashëgimisë kulturore në Durrës.

“E kuptoni se çfarë ndodhi në 17 maj, u vra demokracia dhe u vendos diktatura. Ne jemi të vendosur ta përmbysim këtë klikë. Ata vranë kujtesën kombëtare, një ndërtesë 80-vjeçare. Ata që e quajnë veten “duar-akullore” (duar-pastër, të ndershëm) e kanë shkatërruar Durrësin. Durrësi duhet të ishte si Roma, aq i vjetër është. Të gjithë duhet të ngrihemi të protestojmë kundër kësaj bande.

E shikoni çfarë ndodh në parlament. Ata bëjnë tallava atje në parlament, tallen me popullin dhe dërgojnë të vrasin artistët dhe intelektualët. E filluan shembjen kur njerëzit ishin akoma brenda. Ky parlament është i paligjshëm, duhet të shpërndahet. Presidenti i Republikës tha se nëse populli ngrihet ai do ta shpërndajë parlamentin. Prandaj mos kini frikë.

Ata përpiqen të fusin përçarje mes popullit. Ai shkatërroi në muajin e Ramazanit atë ndërtesë. Shqiptarët të ngrihen dhe ta përmbysim këtë klikë. Ne ishim brenda dhe e kemi mbrojtur me gjithë shpirt. Ata nuk pyesin për flamurin. Të ngrihemi të gjithë dhe të mos kursehemi. Nëse ata sot shembën Teatrin, nesër shembin gjithçka. Ne duhet të vrasim frikën dhe do vazhdojmë të jemi këtu.

Nëse ulni kokën ai nesër do vijë në shtëpitë tuaja dhe do t’ju varrosë”, – tha Budina.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu