Sëmuret “Zogu i Tiranës”, mori vesh që prokuroria synon ta rikthejë në qeli

Nga Panorama Plus

Tiranë | Para rreth një muaji, prezantuesi i njohur në disa programe televizive të mëngjesit, Hermes Nikaj, që njihet si “Zogu i Tiranës”, u lirua nga qelitë e paraburgimit të Burgut 313, ku qëndroi për afro 5 muaj nën akuzat e prostitucionit.

Aktualisht, Hermes është liruar dhe është në arrest shtëpie, por në datën 8 qershor (të hënën e kaluar) mësohet se ka pasur një seancë gjyqësore, në të cilën nuk është paraqitur për shkak të problemeve shëndetësore.

Ai u thirr të dëshmonte përsëri, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Tiranë e ka ankimuar në Gjykatën e Apelit lirimin e 26-vjeçarit, duke kërkuar rikthimin në qeli të tij. Mësohet se çështja është gjykuar nga gjyqtarja Flutura Skënderi, e cila sërish ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, i njëjti vendim i dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor.

Burime të sigurta kanë treguar për “Panorama Plus” se Hermes nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit për shkak të problemeve shëndetësore, gjendje që u rëndua pasi mësoi se çështja e tij ishte ankimuar. Ai u përfaqësua nga avokati i tij, Perlat Kocillari. Ndërkohë nuk e dimë sa do të zgjasë arresti në shtëpi i Hermes Nikajt, ndërsa ndjekësit komentojnë se presin me padurim rikthimin e tij në ekran.

Ende nuk kemi një prononcim nga 26-vjeçari, për të hedhur dritë mbi vërtetësinë e historisë që lidhet me prostitucionin, ndërkohë që moderatori vazhdimisht i ka mohuar akuzat e ngritura rreth tij, duke deklaruar se është i pafajshëm. Ai u bë i njohur për publikun si Z’ogu i Tiranës’ vite më parë në programin e mëngjesit në “TV Klan”, “Aldo Morning Show”.

Në këtë emision, ai fitoi fansa, për faktin se realizonte çdo gjë në ekran, pa e vrarë mendjen për komentet që mund t’i bëheshin. Nikaj është përfolur edhe për jetën e tij mes luksit dhe shpenzimeve të shfrenuara në destinacione në mbarë botën. Pas gati 5 muajsh izolim, pak javë më parë Gjykata e Tiranës ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest me burg”, në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Hermes u lirua nga qelia e paraburgimit, që pas arrestimit më 24 nëntor 2019, nën akuzat e “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prostitucionit”. Nikaj u arrestua pas përgjimeve që e implikuan si pjesë të një grupi, që sipas Prokurorisë kryente prostitucion kundrejt pagesës. Përgjimet e publikuara në media nxorën në dritë përfshirjen e një sërë personazhesh të tjera të njohura nga bota e showbizz-it, punonjës Policie etj.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e liroi duke vendosur për të caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, pra duke e kyçur ‘Zogun e Tiranës’ në shtëpinë e tij, pasi ende nuk i janë mbyllur hetimet. “Panorama Plus” siguroi edhe fotot e para të Zogut pas lirimit. Vetë Nikaj, gjatë një interviste ekskluzive që dha nga burgu për “Panorama Plus”, u shpreh se shpresonte të përfitonte nga lehtësitë për faktin se ai s’ka qenë kurrë i dënuar më parë, është me arsim të lartë dhe se nuk paraqiste rrezikshmëri sociale.

Burime të afërta bënë me dije se ai nuk ishte i pranishëm as në seancën gjyqësore të zhvilluar pasi doli nga izolimi, kjo për shkak të problemeve shëndetësore që Hermes kishte pasur edhe ato ditë. Nipi i artistes së ndjerë, Pavlina Nikaj, Hermes, gjatë 2019-ës u komentua për jetën luksoze, blerje të shtrenjta, udhëtime të shpeshta dhe pushime, që Zogu edhe i reklamonte fare hapur në rrjetet e tij sociale.

Së fundi, ai u pa në filmin “Falco” të Bes Kallakut, ndërkohë që pritet të rikthehet së shpejti në ekran. Ai është komentuar edhe për prirjet e tij homoseksuale, ndërkaq që vetë Hermes s’e ka pranuar një gjë të tillë. Një nga sukseset e tij në televizion ishte edhe programi “Në çantën e…”, ku zonja të njohura të politikës dhe jo vetëm, pas një interviste me të, hapnin çantat e tyre dhe tregonin sendet e tyre personale në ekran. Pak kohë më parë, Hermesi tregoi në rrëfimin e tij ekskluziv për “Panorama Plus”, se si jeta e tij u shkatërrua brenda një nate, ndonëse është i pafajshëm.

“Mua më vjen keq, se unë isha njeri i medias dhe në lajme çfarë nuk u tha për mua, po askush nuk erdhi të më pyesë këtu personalisht. Nuk e di, sepse jam ende nën hetim. Unë kërkoj një masë më të butë, siç është arrest shtëpie apo paraqitje me detyrim. S’kam pasur asnjë precedent penal të mëparshëm, jam me arsim të lartë dhe kjo situatë më ka bërë ta vuaj dhe të jem nën kujdesin mjekësor me qetësues dhe serume”, shprehej “Zogu” nga Burgu 313 një muaj pas arrestimit. Dhe duket se “masën e butë” që kërkonte e arriti, ndërkohë që tashmë po e kalon këtë situatë pranë familjes.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu