Projekti madhor që do të ndikojë zhvillimin ekonomik dhe turizmin e Bulqizës; Alla jep lajmin e mirë

BULQIZË – “Një tjetër projekt i madh që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe turizmin në Bashkinë Bulqizë.” Kështu e ka përshkruar kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla projektin për rehabilitimin e rrugës që shtrihet nga fshati Zgosht, Librazhd, deri tek Ura e Çerenecit, Bulqizë.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook, Alla tregon për këtë projekt, i cili do të ndikojë zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe turizmin në zonë.

Sipas një njoftimi për shtyp nga Bashkia Bulqizë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po konsideron dhënien e një kredie sovrane Republikës së Shqipërisë, në interes të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FShZh), për të financuar rehabilitimin e rrugës që shtrihet nga fshati Zgosht (Librazhd) deri tek Ura e Çerenecit (Bulqizë).

Në kuadër të realizimit të konsultimeve me aktorët kyç që përfshin autoritetet rregullatore dhe kryetarët e njësive administrative, Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla  zhvilloi sot një takim me përfaqësues konsulentë të BERZH.

Në qendër të diskutimeve ishte plani për ndërhyrjen në këtë rrugë, e cila shtrihet 47.1 km dhe lidh fshatin Zgosht me Urën e Çerenecit. Kjo rrugë dykalimshe ndodhet në një zonë rurale dhe është kryesisht e paasfaltuar. Rreth 14 km të kësaj rruge shtrihen në kufirin perëndimor të Parkut Kombëtar Shenenik-Jabllanicë.

Sipas një studimi inxhinierik të kohëve të fundit, kjo rrugë ofron mundësi të kufizuara për zhvillimin ekonomik të rajonit. Rruga është e papërshtatshme për të përballuar nivelin e trafikut ekzistues dhe atë që parashikohet në të ardhmen, si dhe të plotësojë kërkesat për sigurinë në rrugë.

Punimet në këtë rrugë do të mbështesin zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe turizmin në zonë (p.sh. Parku Shebenik-Jabllanicë). Projekti është në përputhje me Planin e Përgjithshëm Kombëtar (PPK), Shqipëria 2030, i aprovuar më 14 dhjetor 2016. Plani Shqipëria 2030 është instrumenti më i lartë i planifikimit territorial në Shqipëri, i cili siguron planifikim të integruar ekonomik, social dhe mjedisor në vend. Planet e përgjithshme vendore të Bashkive Librazhd dhe Bulqizë theksojnë rëndësinë e këtij zhvillimi në nivel lokal.

Punimet e propozuara

Pritet që rruga të zgjerohet në 8 m, me korsi lëvizje të asfaltuara në përmasat 2×3.25 m dhe bankina rruge me material granuale në përmasat 2×0.75 m.

Parashikohet që punimet e propozuara në rrugë do të përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm, si më poshtë:

  • Pastrimi i vendit të lokalizuar dhe zhvendosja e shtresës së punueshme brenda zonës së punimeve (50 m nga secila anë e rrugës ekzistuese);
  • Pastrimi dhe përmirësimi i sistemit ekzistues të kullimit/drenazhimit;
  • Shtrimi me asfalt, barrierat mbrojtëse të rrugës, shenjat e trafikut, mbulimi me shenja rrugore, ndriçimi i rrugës përgjatë trotuareve në zonat urbane;
  • Përmirësimi/ndërtimi i zonave ekzistuese/të reja të shtruara;
  • Shtimi i kabllos optike për rrjetën e fibrës optike në zonat urbane.

Rikonstruktimi i rrugës do të shtrihet përgjatë gjurmës ekzistuese. Punimet në rrugë parashikohet të zgjasin 12 muaj nga momenti që vendoset për datën e fillimit të tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu