KF Bulqiza “shpartallon” KF Osumin në ndeshjen e kthimit në Kamëz

Trajneri Hakik Çekiçi me lojtarët e ekipit

Kamëz | Pas pesë fitoresh dhe një humbjeje, Klubi i Futbollit të Bulqizës, KF Bulqiza, ka zhvilluar pasditen e sotme ndeshjen e radhës, kundër ekipit të KF Osumit të Urës Vajgurore, e cila u mbyll me rezultatin tronditës 15-2 në favor të bulqizakëve.

Takimi nisi në orën 15:00 dhe u mbajt në Qendrën Kombëtare Sportive të Federatës Shqiptare të Futbollit në Kamëz. Përgjatë 90 minutave djemtë e talentuar të KF Bulqiza treguan një paraqitje të shkëlqyer dhe dominancë absolute në fushë. Ndërkohë nga ana tjetër, djemtë e KF Osumit nuk janë dukur aspak në formë sot.

Që në minutat e para të pjesës së parë, KF Bulqiza arriti të kalojë në avantazh nëpërmjet një goli të shënuar nga ana e lojtarit Anxhelo Molla, ndërsa pak çaste më vonë Endri Kaca shënoi golin e dytë. Nuk vonoi shumë kur Denis Kurti çoi në rrjetë edhe topin e tretë për Bulqizën, për të vijuar më tej me Likën, Shkretën, Kacën, Dajtin, etj. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin tronditës 9-0.

Ndërkohë në minutat e para të pjesës së dytë, mbase edhe nga neglizhenca e djemve bulqizakë, KF Osumi arriti të çojë në portë topin e parë, ndërkohë më vonë shënuan edhe një të dytë. Megjithatë, ashtu sikurse në pjesën e parë, edhe në të dytën KF Bulqiza nuk mund të largohej nga fusha pa një breshëri tjetër golash, ku shënoi edhe 6 të tjerë, duke e vulosur ndeshjen me rezultatin e thellë 15-2.

Kujtojmë që kjo është përballja e dytë mes këtyre dy skuadrave. Në përballjen e parë në javën e parë të kampionatit, Bulqiza mundi të triumfojë me rezultatin 6-0 ndaj Osumit, ndërsa ndeshja e sotme e kthimit ka rezultuar fatale për këtë të fundit.

Tabela e rezultateve:

  1. Java 1) Bulqiza-Osumi, 6-0
  2. Java 2) Bulqiza-Kinostudio, 2-1
  3. Java 3) Bulqiza-Pirusti, 10-0
  4. Java 4) Bulqiza-Divjaka, 3-2
  5. Java 5) Bulqiza-Labëria, 2-3
  6. Java 6) Bulqiza-Shkëndia, (Shkëndia la kampionatin, Bulqiza fitoi 3 pikë automatikisht)
  7. Java 7) Bulqiza-Osumi, 15-0 (ndeshja e kthimit sot)

Aktualisht KF Bulqiza renditet e dyta në grup, paraprirë nga KF Labëria në vendin e parë dhe ndjekur më pas nga KF Divjaka në vendin e tretë.

Kujtojmë që synimi i ekipit bulqizak është që brenda këtij viti të ngjitet në Kategorinë II dhe për këtë ka marrë të gjithë mbështetjen e Bashkisë Bulqizë. Ndërkohë nga ana tjetër, vetë kryebashkiaku Lefter Alla është angazhuar personalisht në mbështetje të ekipit për arritjen e këtij pikësynimi. Gjithashtu për çdo ndeshje të fituar ai ka ofruar edhe shpërblime monetare për djemtë e ekipit, si dhe ka premtuar se do të vijojë me këto shpërblime për të gjitha fitoret në vijim.

Sjellim në vëmendje se Bulqiza.info transmetoi drejtpërdrejt ndeshjen e sotme në faqen zyrtare në “Facebook”, duke premtuar se do të vijojë të transmetojë edhe të gjitha përballjet në vijim të ekipit të Bulqizës.

Momenti kur lojtarët e KF Bulqiza lënë vetë një gol pa shënuar, megjithëse porta ishte bosh:

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu