Bulqizë/ Lleshaj kërkon bashkërendim të institucioneve vendore në luftën kundër kanabisit

Bulqizë-  Ministri i Brendëshëm, Sandër Lleshaj ishte sot në një takim në Bulqizë për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, parandalimin apo goditjen e rasteve të paligjshmërisë në shfrytëzimin e nëntokës, dëmtimin e prerjen e pyjeve, masat për luftën antikanabis, mbarëvajtjen e sezonit turistik si dhe projekte të zhvillimit të zonës.

Në këtë takim ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla, përfaqësues e të zgjedhur lokalë, Prefekti, drejtues të Policisë së Shtetit, IKMT dhe drejtues rajonal.

Në fillim të fjalës së tij ministri Lleshaj foli për rëndësinë e prerjes së drunjëve, djegies së pyllit dhe shfrytëzimit të paligjshëm ku u bëri thirrje të gjithave organeve kompetente të angazhohen në mbrojtjen e territorit.

“Kushdo që sot merr vendimin e guximshëm për të prekur e dëmtuar territorin, duhet të llogarisë që rreziku me të cilin përballet është shumë herë më i madh se dje. Për çdo ndërhyrje policia fillon menjëherë një proces të ndjekjes penale dhe paralel me policinë, do të jetë IKMT, e cila ndjek rrugën administrative me gjoba të rënda.”, tha Lleshaj.

Një temë tjetër shumë e rëndësishme ishte edhe lufta ndaj kanabisit ku Lleshaj vlerësoi punën e pushtetit lokal dhe tha që duhet të rriten masat kundër kanabisit.

“U bënë disa vite që ne jemi të angazhuar në një fushatë lufte për ta çrrënjosur këtë fenomen i cili na dëmton të gjithëve. E para dëmton ata që i gënjen mendja që përfitojnë prej tij. Ata janë të dëmtuarit e parë, pavarësisht se mund të kenë ndërtuar një vilë, mund të kenë blerë një makinë, ata janë viktimat e para sepse janë përfshirë në krim, sepse janë në burg apo do shkojnë në burg, sepse kanë një pasuri dhe do ju merret një ditë. Këtë vit i kemi shtuar kapacitet në dispozicion të policisë, së pari monitorimin nga ajri me helikopterë, dronë, të cilët kanë mundësi të vëzhgojnë edhe ditën, edhe natën, në mënyrë që ky fenomen këtë vit të pësojë një goditje shumë të fortë.”, u shpreh Lleshaj.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu