Ministri Lleshaj në Bulqizë; Diskutohen problemet kryesore që shqetësojnë Bashkinë

BULQIZË – Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla ka mirëpritur sot një takim të zhvilluar me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, me përfaqësues e të zgjedhur lokalë, Deputeten e qarkut Dibër, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit&IKMT dhe me drejtues rajonalë.

Diskutimi u fokusua në çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit, parandalimin apo goditjen e rasteve të paligjshmërisë në shfrytëzimin e nëntokës, dëmtimin e prerjen e pyjeve, masat për luftën antikanabis, mbarëvajtjen e sezonit turistik si dhe projekte të zhvillimit të zonës. Pasi bëri një vlerësim të detajuar të punës së Bashkisë Bulqizë, Alla renditi edhe disa prej problematikave kryesore më shqetësuese për banorët e kësaj zone.

Niveli i lartë papunësisë për gratë është një nga problemet kryesore që Alla prezantoi në prani të pjesëmarrësve, gjë kjo e ndikuar negativisht edhe me kthimin e emigrantëve në vend pas situatës së krijuar nga pandemia Covid-19. Sipas tij, me hapjen e rrugës së Arbrit vitin e ardhshëm, pritet që në Bashkinë Bulqizë të zhvillohet edhe industria fasone, gjë që do të ndihmojë në punësimin e grave.

Një tjetër problematikë e prezantuar nga Kryebashkiaku Alla ishte edhe çështja e kanalizimit të ujërave të zeza. Sipas tij, pavarësisht punës së Bashkisë dhe të kujdesit që po tregohet për zgjidhjen e këtij problemi, situata vijon të jetë shqetësuese.

Zjarrvënia në pyje është një tjetër çështje që sipas Alla duhet vlerësuar maksimalisht. “Edhe pse është një problematikë që gjithnjë e më shumë po ulet, ajo sërish duhet vlerësuar maksimalisht. Për këtë gjë nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë midis të gjitha strukturave lokale, në mënyrë që këtë pasuri të madhe që kemi ta kthejmë në dobi për banorët e bashkisë tonë”, tha ndër të tjera Alla.

Në lidhje me çështjen e kultivimit të Kanabisit, Alla u shpreh se strukturat e pushtetit lokal dhe ato të policisë duhet të tregojnë vëmendjen maksimale. “Edhe pse në bashkinë tonë nuk kemi patur probleme serioze në këtë drejtim, ne sërish duhet të tregohemi të kujdesshëm, në mënyrë që kultivimi i Kanabisit të mos përhapet edhe këtu”, tha Alla.

Ndër të tjera, ai vlerësoi investimet që po bëhen në infrastrukturën rrugore si faktorë që do të ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit në bashkinë Bulqizë. “Ndërtimi i rrugës së Arbrit dhe ndërtimi i rrugës nga Ura e Çerenecit deri në Librazhd do t’i japin një frymëmarrje tjetër biznesit dhe turizmit lokal të Bulqizës”, tha ai.

Ndërsa Lleshaj, në fjalën e tij theksoi se në Bulqizë, çështja e kontrollit të territorit mbetet një sfidë e madhe, jo vetëm për shkak të sipërfaqes së madhe si bashki, por edhe për shkak të shfrytëzimit të pyjeve, apo dëmtimit të tyre, shfrytëzimit të mineraleve, apo shkatërrimit të resurseve. Këtë tokë në të cilën jetojmë, e kemi në përdorim dhe shkatërrimi, dëmtimi, moskujdesja është gjëja më e rëndë që i bëjmë vetes.

Ai u shpreh se PSH, IKMT, Bashkia dhe inspektoratet duhet të kuptojnë mirë se kanë përgjegjësi shtetërore, përgjegjësi ligjore për t’u marrë seriozisht me mbrojtjen e territorit.

Në fjalën e tij, Ministri Lleshaj u ndal edhe në çështjen e kromit. “Përveç mbrojtjes së pyjeve këtu mbetet me rëndësi mbrojtja e pasurisë kombëtare që është kromi. Përveç shumë problemeve që ka prodhuar kromi, në vend që të prodhonte mirëqenie për Bulqizën e për Shqipërinë, në aspektin e kriminalitetit, në aspekte të tjera, ka prodhuar dhe probleme të mëdha edhe në fushën e mjedisit.” tha ai.

Ai i kërkoi IKMT-së dhe Policisë të veprojnë së bashku. Sipas tij, shumë prej funksioneve të inspektimit të mjedisit që kanë qenë më parë të strukturave të tjera, tashmë i kanë kaluar IKMT-së, e cila merret jo vetëm me ndërtime pa leje, por me kontrollin e territorit në tërësi. Kontrolli i ujit, i ajrit, i tokës, i pyjeve. Arsyeja e kësaj lëvizjeje lidhet me nevojën për të rritur intensitetin, efikasitetin e punës së Policisë dhe IKMT-së.

“Krimet mjedisore kanë faturë shumë të rëndë penale, Kodi Penal parashikon masa të rënda ndaj krimit mjedisor. ‘Dëmet’ janë të dyfishta, e para është dëmi që vjen nga IKMT-ja në kuptimin e gjobave të rënda, masave administrative të rënda dhe, e dyta, është përballja me Policinë për arsye se këto konsiderohen vepra të forta penale.”, vijoi Ministri Lleshaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu