Rama në Prishtinë: Fletërrufeja ndaj Thaçit e Veselit, njollë turpi në historinë botërore të drejtësisë

Prishtinë | Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, sikurse shprehet për të mësuar më shumë në lidhje me aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Rama thekson se “fletërrufeja speciale do të hyjë si njollë turpi në historinë botërore të drejtësisë”.

Në një postim në “Twitter”, Rama shkruan:

“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletërrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi në historinë botërore drejtësisë, që praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur vetëm në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre”.

Agjenda zyrtare e kryeministrit gjatë kësaj vizite parashikon:

  1. Takim dhe drekë pune me Fatmir Limajn, kryetarin e Nismës Social-Demokrate.
  2. Takim me Vjosa Osmanin
  3. Takim me Avdullah Hotin
  4. Takim me Hashim Thaçin.

Ndërkohë së fundmi mediat e Kosovës raportojnë se do të ketë një takim edhe me ish-kryeministrin dhe njëkohësisht udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kujtojmë që kanë kaluar pesë muaj deri më tani që nga takimi i tyre i fundit, kur Kurti bëri vizitën e tij të parë dhe të fundit si kryeministër i Kosovës në Tiranë, ku takoi fillimisht Edi Rama. Vizita në Shqipëri ishte e para për Albin Kurtin në rolin e kryeministrit.

Gjatë konferencës për shtyp, Kurti dhe Rama u ‘ndanë’ për çështjen e ‘minishengenit ballkanik’, pasi Kurti kërkoi para tij një ‘Makroshengen Shqiptar’, kurse kryeministri shqiptar bëri të qartë se pa ‘Minishengen Ballkanik’ nuk ka ‘Makroshengen Shqiptar’.

Nga ajo ditë nuk janë takuar më, madje në mars sipas Kurtit ka pasur një ftesë nga ana e tij për Ramën për takim mes zyrtarëve të lartë të dy shteteve, por kryeministri shqiptar nuk iu përgjigj.

Tashmë ata do të takohen, por jo si homologë, njëri si kryeministër i Shqipërisë, ashtu si 5 muaj më parë, tjetri si lider i Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu