A ekziston rreziku i shpërndarjes së koronavirusit nga mushkonjat?

Në vazhdën e pasigurisë që ka krijuar situata e pandemisë së COVID-19,  të gjithë ne kemi shumë pikëpyetje për këtë “armik” të padukshëm dhe mundësitë që gjen ai për të pushtuar organizmin e njeriut.

Në rrjetet online të informacionit ka shumë lajme të rreme por edhe të sakta për mënyrat  e përhapjes së COVID-19.

Transmetimi nga njeriu në njeri i COVID-19 ndodh përmes:

  • spërklave të përshtymës, kollës, tështimës
  • kontaktit të drejtpërdrejtë fizik,
  • kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve / objekteve të kontaminuara).

Së fundmi ka patur pikëpyetje mbi rolin e mushkonjave në përhapjen e COVID-19, sidomos tani që dalëngadalë po futemi në stinën e ngrohtë.

A mund të infektohemi nga mushkonjat?

Çfarë ndodh nëse një mushkonjë pickon një person të infektuar dhe më pas fluturimthi zbarkon në lëkurën e një personi tjetër?

Kjo është pyetja që po bëhet më shpesh kohët e fundit në internet.

Në një intervistë për Fox News, Mary Schmidt, specialiste e sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara tha se nuk ka asnjë të dhënë shkencore që provon se mushkonjat mund të infektojnë njeriun me COVID-19.

Megjithatë, ajo nuk e përjashtoi si mundësi .

“Nuk ka asnjë të dhënë mbi këtë pretendim. Nëse pickimi do të përbënte një mënyrë të transmetimit të virusit, atëherë do të ishte vënë re në Lindjen e Mesme ku Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (një lloj tjetër koronavirusi) është prezente prej 6 vjetësh,” tha ajo.

Në argumentat e dhënë, Schmidt iu referua një studimi të kryer tek mushkonjat dhe mundësia e përhapjes së virusit të lartpërmendur që zbuloi se gjurmë të tij mund të qëndronin më pak se një ditë tek organizmi i insektit.

Sipas saj, që mushkonjat të kthehen në kërcënim të mirëfilltë për njeriun, duhet një ekspozim shumë afatgjatë ndaj virusit.

“Që kjo  të ndodhë në jetën reale, mushkonjat duhet ta marrin virusin gjatë pickimit. Më pas virusi do të shumohet në indet e stomakut, shpërndahet në gjendrat e pështymës dhe të injektohet në lëkurën e një njeriu tjetër gjatë pickimit të rradhës,” tha ajo.

Në bazë të këtyre të dhënave, Schmidt këshilloi mbajtjen nën vëzhgim të situatës dhe kryerjes së studimeve urgjente për të kuptuar nëse përtej teorisë, mushkonjat mundet të shpërndajnë virusin COVID-19.

Në fillim të muajit Mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka asnjë të dhënë shkencore që sugjeron përhapjen e COVID-19 nga mushkonjat.

/AgroWeb//Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu