Hoti paralajmëron masa të reja, Kosova në rrezik nga vala e dytë e koronavirusit

Prishtinë | Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se situata me koronavirusin në Kosovë “është nën kontroll të brishtë”.

Në një konferencë për mediat në Prishtinë, pas takimit të Komitetit për menaxhimin e situatës me koronavirusin, Hoti tha se Klinika Infektive është e tejmbushur me pacientë me koronavirus dhe se atje nuk ka më vende për të tjerë.

“Janë duke u krijuar vende shtesë nëpër spitale rajonale”, – tha ai.

Hoti bëri thirrje që të zbatohet plotësisht vendosja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve.

“Jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që mos ta mbyllim komplet ekonominë si para tre muajve”, tha Hoti, i cili paralajmëroi mundësinë e masave të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Masat e reja, sipas Hotit, do të përfshinin reduktimin e punësimeve në institucione, mbylljen e bizneseve ku ka raste të paraqitura me koronavirus, mbajtjen në izolim të personave të infektuar dhe kontrollin e tyre, si dhe ndalimin e grumbullimit të mbi 100 personave në ambiente të hapura ose të mbyllura.

Hoti tha se ata që nuk i zbatojnë masat, do të përballen me ligjin.

Për mbikëqyrjen e tyre është i autorizuar Inspektorati sanitar, tha ai.

Hoti po ashtu paralajmëroi se, bazuar në situatën aktuale, vështirë se mund të hapen pishinat, lokalet e natës e të tjera.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu