Shoqata e transportit kërkon plotësimin e kërkesave, Veliaj paralajmëron: Kthehuni në punë ose ju heqim licencat

Tiranë | Nisur nga protestat e vazhdueshme të Shoqatës së Transportit Qytetas përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku kërkohet plotësimi i kërkesave nën kërcënimin e mos rikthimit në punë, së fundmi ka ardhur edhe një reagim nga vetë kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku u ka kërkuar shoqërive të transportit që të rinisin aktivitetin, pasi në të kundërt do t’iu hiqen licencat dhe do të iu jepen dikujt tjetër.

“Bashkia e Tiranës i ka plotësuar të gjitha kërkesat e kompanive të autobusëve. Mund të vazhdojnë debatet me ministrinë, edhe unë dua të vazhdoj një diskutim me ministrinë sepse duhen subvencionuar studentët, duhen subvencionuar personat me aftësi të kufizuara, duhen subvencionuar veteranët; por, ky diskutim mund të vazhdojë fare mirë duke nisur punë. Unë do të jem avokati i tyre, por në momentin kur ata thonë: ‘O të gjitha, o rashë e vdiqa’, ju garantoj se disa kompani do humbasin licencën e transportit në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se nuk do të ketë asnjë tolerim për askënd që tenton të bllokojë qytetin dhe prova për këtë është Unaza dhe Teatri, ku puna po vijon.

“Kush i vë në dyshim këto që po them, le të kthehet te Astiri ose te Teatri dhe të shohin a e mbajmë apo jo. Ne jemi qytetarë sepse zgjedhim të flasim si qytetarë dhe të sillemi si qytetarë. Por, kur dikush bllokon rrugën dy vjet, kur dikush bllokon teatrin dhe e zapton tre vjet, kur dikush thotë: ‘Nuk dua ta nxjerr autobusin’, ndërkohë që kërkesat i plotësohen 100%, kjo është të mbash qytetin peng. Këtë qytet nuk e ka mbajtur sot peng askush në këto 5 vite dhe kjo është arsyeja pse ky është paralajmërimi i fundit. Nëse operatorët nuk dalin, fare mirë humbasin licencën, e cila do të hidhet në treg dhe vjen e merr një operator tjetër”, deklaroi Veliaj.

Deklaratat e tij, kryebashkiaku i bëri ndërsa inspektonte punimet ne rrugën “Hamdi Cullaj” në Kombinat.

Kujtojmë këtu se ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi ditë më parë se se duke nisur nga data 24 qershor do të rinisë transporti ndërqytetas në vend. Por, për transportin urban brenda qyteteve nuk kishte ende një datë pasi shoqëritë e transportit nuk kanë parnuar që të rifillojnë shërbimet.

Ata kanë kërkuar që të merren parasysh kërkesat e tyre, pas dëmit ekonomik që u bë me krizën e pandemisë.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu