Ndarja nga jeta e mjekut me COVID-19, Basha: Kam mbresa të pashlyeshme për përkushtimin profesional të tij

Tiranë | Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv mjeku hematolog, Arjan Pushi, njëkohësisht profesor i fakultetit të Mjekësisë, i cili u konfirmua pozitiv me COVID-19 disa ditë më parë. Lidhur me këtë lajmërim ka reaguar edhe kryedemokrati Lulzim Basha.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Basha iu ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të mjekut, duke iu treguar mirënjohës për ndihmën shëndetësore të dhënë ndaj qindra pacientëve.

Mesazhi i plotë i Bashës:

Jam i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të prof. dr. Arjan Pushit, një misionari të bluzave të bardha që përmes përkushtimit dhe angazhimit të palodhur i dha ndihmë te paçmuar qindra pacientëve të tij.

Gjatë muajve të fundit kam ruajtur një komunikim të rregullt me prof. Arjanin mbi krizën e covid19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi. Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij.

Asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. Dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve.

Lutjet dhe mendimet e mia janë për familjarët dhe miqtë e tij. Respekti im maksimal është për mjekët që luftuan deri në fund për ta mbajtur në jetë mikun dhe kolegun e tyre dhe që punojnë me të njëjtin përkushtim për çdo pacient. U prehtë në paqe!

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu