Bie numri i rasteve të reja me koronavirus; ndërrojnë jetë dy të moshuara në spitalin Infektiv

Tiranë | Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot nëpërmjet një deklarate për shtyp se përgjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 45 raste të reja me koronavirus në vendin tonë, duke e çuar kështu në 2,580 numrin e të prekurve në total nga kjo sëmundje pandemike. Gjithashtu kanë ndërruar jetë dy paciente të shtruara në spitalin Infektiv, një 74-vjeçare nga Shkodra dhe 82-vjeçare nga Tirana, të cilat vuanin edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Deri tani 58 persona e kanë humbur betejën me këtë virus. Ndërkohë edhe 65 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar në 1,516 totalin e tyre.

Rastet e reja janë konstatuar;

  • 21 në Tiranë
  • 10 në Shkodër
  • 4 në Elbasan
  • 3 në Delvinë
  • 3 në Kurbin
  • 1 në Krujë
  • 1 në Kukës
  • 1 në Lezhë
  • 1 në Sarandë.

Sipas zyrtares së Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 269 qytetarë si të dyshuar me COVID-19, ndërsa që nga nisja e pandemisë në vendin tonë janë kryer 26,663 testime.

Rastet e zbuluara në 24 orët e fundit, sipas ministrisë, vijnë si rezultat i kontakteve, por ka edhe raste të reja që ende nuk iu është gjetur burimi dhe hetimi epidemiologjik vijon.

Gjithashtu është shtuar numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv. Aktualisht po marrin shërbim në këtë spital 71 pacientë, ku 10 prej tyre po marrin terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

Aktualisht në Shqipëri mbi 999 persona vijojnë të jenë aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.

Dervishi deklaroi se shkaku kryesor i shifrave të ditëve të fundit është mosrespektimi i rregullave të përcaktuara nga ekspertët. Ajo u bëri thirrje qytetarëve për vigjilencë, ruajtjen e distancimit social, higjienës dhe shmangien vizitave brenda rretheve familjare apo shoqërore.

Një thirrje shkon edhe për bizneset e hapura. Atyre u kërkohet që të respektojnë protokollet e sigurisë në mbrojtje të shëndetit të punonjësve apo klientëve.

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Ndërsa, në rast se ndokush ka simptoma të koronavirusit dhe dyshon se mund të jetë prekur, atëhere duhet të telefonojë menjëherë 127. Ministria i lut qytetarë që të mos telefonojnë për pyetje në numrin 127, pasi ai është vetëm për urgjencat, për çdo pyetje shërben numri i lartëpërmendur falas (0800 40 40).

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu