Martaneshi, mrekullia natyrore e fshehur mes maleve

Bulqizë | Pak e përmendur në përditshmërinë tonë gjeografike dhe guidat turistike, por e pasur me resurse mjedisore dhe turistike. Krahina e Martaneshit njihet për relievin e saj malor dhe një nëntokë të pasur me minerale.

Këtu buron lumi Mat, me rrjedha të forta nga ku krijohen dhe kanione të thella, që sot mund të shfrytëzohen për turizmin sportiv të raftingut.

Martaneshi është një trevë e banuar që në lashtësi. Në fshatin Gjon janë gjetur arkifakte që nga periudha neolitike që e vërtetojnë këtë. Ka një historik të çuditshëm që shkon deri në gojëdhëna për prejardhjen e emrit të tij, Martanesh.

Në njërën prej gojëdhënave thuhet se në kohën e pushtuesve turq, një vajzë me emrin Marta, për të mos rënë në duar të tyre, u hodh nga shkëmbi duke u bërë nismëtare edhe për vajza të tjera. Për të marrë këtë vendim vajzat ishin mbledhur në një shesh të vogël mbi një shkëmb që ndodhet afër fshatit Gjon, i cili quhet edhe sot “Kuvendi i gocave”.

Gojëdhëna tjetër thotë se ishin dhjete vajza që kanë luftuar bashkë me të afërmit e tyre kundër forcave të ushtrisë turke në Qafën e Qarrit. Atje, gjatë përleshjes  është vrarë një vajzë me emrin Martë. Kështu që nga fjalët “Marta u nda prej nesh” ose “Marta u nesh (ndesh)”, thuhet se ka ardhur emri Martanesh.

Në Ballenjë të Martaneshit gjendet edhe teqeja e njohur e Ballëm Sulltanit, e cila është një monument unik kulturor.

Maja malore më e lartë është ajo e Dhoksit, që shkon deri në 2020 m lartësi, e  pasur me bimë endemike dhe mjekësore. Sherebela, trumza, lule blini, çaji i malit, rriten në këtë zonë. Trofta e ujërave te embla në këtë komunë është karakteristike. Zona si ajo e Ballenjës dhe Bizës, janë shpallur zona të mbrojtura.

Pavarësisht bukurive natyrore, turizmi malor në këtë zonë nuk është shumë i zhvilluar. Shumë pranë Bulqizës, por edhe kryeqytetit, realiteti i kësaj zone  duket i një tjetër jetë. Gjithë shpresa e kësaj zone për një zhvillim ekonomik, varet tek ndërtimi i Rrugës së Arbrit.

Me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, largësia nga kryeqytetit në këtë zonë shkurtohet nga 4 orë në 1 orë e gjysmë. Ndërtimi i kësaj rruge, përveç se do të shkurtonte largësinë, do të shërbente për zhvillimin ekonomik të zonës, për tregtimin e produkteve blegtorale dhe bujqësore, por mbi të gjitha, për zhvillimin e një turizmi gjithëvjetor për shkak të resurseve të shumta natyrore që mbart.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu