Rikonstruktimi i Çerdhes nr.2 në Bulqizë, Alla: Bashkia e ka të qartë, investimi në arsim është i padiskutueshëm

Bulqizë | Rikonstruktohet për herë të parë që nga ndërtimi i saj Çerdhja nr.2 e Lagjes së Re në qytetin e Bulqizës. Prej vitesh në këtë çerdhe nuk ishte vënë dorë për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e saj, duke bërë që të mos plotësonte kushtet e nevojshme për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve. Nisur nga kjo, nëpërmjet një fondi prej 17 826 380 lekësh, pa TVSh, Bashkia Bulqizë ka bërë të mundur rikonstruksionin e saj.

Pas përfundimit të punimeve,  i pranishëm për inspektimin e punës së bërë ishte edhe vetë kryebashkiaku Lefter Alla, i cili shprehu kënaqësinë e tij që tashmë rreth 60 fëmijë të kësaj çerdheje do të trajtohen dhe edukohen në kushte shumëherë më të mira se më parë.

Në një prononcim për Bulqiza TV, kryebashkiaku Alla u shpreh se ky nuk është objekti i vetëm i edukimit në të cilin po kryhen punime, por se po punohet edhe për rikonstruksionin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të tjera të bashkisë, për t’u bërë gati për nisjen e vitit të ardhshëm shkollor.

Duke folur për çerdhen në fjalë, Alla tha se është bërë një punë e madhe për rikonstruktimin e plotë të saj, duke nisur që nga ndërhyrja në suvatime, tarracë, dyer, dritare, pllaka dhe tualete, si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes me kaldaja.

Kryebashkiaku u shpreh se deri më tani ka mbaruar puna për rikonstruksionin e kopshteve dhe çerdheve në qytet, ndërsa sipas tij puna po vijon edhe për riparimin e atyre nëpër njësitë administrative.

Alla tha se nën drejtimin e tij “Bashkia Bulqizë e ka të qartë drejtimin e saj, investimi në arsim është i padiskutueshëm”.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu