KMSH njofton besimtarët: Falja e Kurban Bajramit do të bëhet nëpër xhamia, të respektohen masat anti-covid

Tiranë | Ditën e nesërme, besimtarët myslimanë festojnë festën e Kurban Bajramit, ose siç njihet ndryshe edhe si Bajrami i Vogël. Lidhur me këtë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, nëpërmjet një njoftimi lajmëron se ka vendosur që falja e namazit të Bajramit, në agim, të kryhet sërish nëpër xhamia dhe jo në sheshet qendrore të qyteteve, njësoj sikurse u zbatua falja e namazit të Fiter Bajramit (Bajramit të Madh). Ky vendim vjen në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit COVID-19, duke shmangur grumbullimet e mëdha të besimtarëve.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSh) ka vendosur që ceremonia qendrore, e cila përvit realizohet në Sheshin “Skënderbej” apo në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të mbahet në Xhaminë e “Kokonozit” në Pazarin e Ri, Tiranë.

Sipas njoftimit të KMSh, namazi do të falet në orën 06:30, ndërsa në orën 06:35 do të mbajë hytben (fjalimin) e Kurban Bajramit, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu

Komuniteti lut të gjithë besimtarët që të respektojnë masat e mëposhtme të sigurisë ndaj sëmundjes së COVID-19;

• Marrja e abdesit të kryhet në shtëpi.
• Të mbahet maska nga çdo besimtar.
• Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
• Mbajtja e distancës fizike gjatë faljes.
• Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
• Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami.
• Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.
• Të shfrytëzohen materialet dezinfektuese në hyrje të cdo xhamie.

Gjithashtu KMSh ka urdhëruar të gjitha myftinitë në rrethe që të marrin masat e nevojshme të sigurisë për faljen e namazit të Kurban Bajramit nëpër xhamia, duke respektuar të njëjtin protokoll.

Kujtojmë që këtë vit, pandemia e koronavirusit ka ndryshuar mënyrën e organizimit të kësaj feste. Pelegrinazhi vjetor i Haxhit (vizitimi i vendeve të shenjta në Arabinë Saudite) ka nisur të mërkurën në Arabinë Saudite, por me numër shumë të kufizuar për shkak të sëmundjes. Ministria për Haxh dhe Umrah e Arabisë Saudite ka thënë muajin e kaluar se vetëm “një numër i kufizuar i myslimanëve” që jetojnë në Arabinë Saudite, do të mund të jenë pjesë e organizimit.

Rituali pesëditor i Haxhit është njëra prej pesë shtyllave të Islamit dhe çdo besimtar duhet ta kryejë të paktën një herë në jetë, është obligim për secilin mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin. Çdo vit, më shumë se 2 milionë pelegrinë nga 180 vende të botës udhëtojnë në Mekë, kryeqendrën e fesë Islame, në atë që zakonisht është një prej organizimeve më të mëdha fetare.

Mekë, Arabi Saudite.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu