Kosovë/ Nënshkruhet marrëveshja për asistencën makro-financiare me Bashkimin Evropian

Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) kanë nënshkruar marrëveshjen e kredisë për asistencën makro-financiare me Bashkimin Evropian, në vlerë prej 100 milion euro.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja e Financave Hykmete Bajrami, zëvendësguvernatori i BQK-së Sokol Havolli, dhe komisionari për Ekonomi i BE-së Paolo Gentiloni.

Kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat i hapjes së mundësisë së përfitimit nga skema e BE-së edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndihma makro-financiare jepet në ndërlidhje me ndihmën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në prill të vitit 2020 miratoi Instrumentin e Financimit të Shpejtë për Kosovën, në vlerë 51.6 milionë euro.

Kredia do të ndihmojë në planin për rimëkëmbje ekonomike dhe zbatimin e masave emergjente.

Një pjesë e disbursimit varet nga plotësimi i disa kritereve, të cilat Qeveria e Kosovës është zotuar që t’i realizojë me përpikëri, pasi që të njëjtat i ndihmojnë përmirësimit të Administratës Publike në Kosovë dhe rritjes së transparencës.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu