Alla uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin: Të dëshirojmë për të tjerët ato që duam për vete

Bulqizë | Me rastin e festës së Kurban Bajramit, një urim për të gjithë besimtarët myslimanë ka ardhur edhe nga Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin shoqëror “Facebook”, kryebashkiaku Alla shkruan as mishi dhe as gjaku i kurbanëve që sakrifikojmë nuk arrijnë tek Zoti, por arrijnë bindja dhe devotshmëria e njeriut.

Duke shfrytëzuar këtë urim, Alla gjen rastin të bëjë thirrje për më shumë dashuri, paqe, mirëkuptim dhe lutje për njëri-tjetrin, për atdheun tonë dhe për të gjithë shqiptarët.

Postimi i plotë i kryebashkiakut Lefter Alla:

Të dashur miq,
Të gjithë besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, këtë festë të madhe që i kthen lutjet ndaj Zotit në më të pastra, më të sinqerta dhe më të pranuara.

Sigurisht që as mishi dhe as gjaku i kurbaneve që sakrifikojmë nuk arrijnë te Zoti i Madhërishëm. Por është bindja dhe devotshmëria e njeriut ndaj Tij, një nevojë kjo e padiskutueshme për secilin prej nesh.

Në këtë ditë të madhe, ku Zoti i hap dyert e mëshirës më shumë se kurrë
🙏le të dëshirojmë për të tjerët ato që duam për vete,
🙏të mos dëshirojmë për të tjerët, ato që nuk i duam për vete,
🙏të bëjmë vepra të mira dhe të gëzojmë fëmijët, të moshuarit dhe ata që na rrethojnë,
🙏të mos kujtojmë të metat e të tjerëve, por të reflektojmë ndaj mangësive tona,
🙏të lutemi për njëri-tjetrin, për atdheun tonë, për të gjithë shqiptarët anekënd botës dhe për të gjithë njerëzimin!

Gëzuar, miq!
E paçi Bajram çdo ditë të jetës tuaj!

Lexoni më shumë:

Ditën e nesërme, besimtarët myslimanë festojnë festën e Kurban Bajramit, ose siç njihet ndryshe edhe si Bajrami i Vogël. Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë: Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin. Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian (kalendari ynë), data ndryshon nga viti në vit, duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, nëpërmjet një njoftimi lajmëron se ka vendosur që falja e namazit të Bajramit, në agim, të kryhet sërish nëpër xhamia dhe jo në sheshet qendrore të qyteteve, njësoj sikurse u zbatua falja e namazit të Fiter Bajramit (Bajramit të Madh). Ky vendim vjen në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit COVID-19, duke shmangur grumbullimet e mëdha të besimtarëve.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSh) ka vendosur që ceremonia qendrore, e cila përvit realizohet në Sheshin “Skënderbej” apo në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të mbahet në Xhaminë e “Kokonozit” në Pazarin e Ri, Tiranë.

Sipas njoftimit të KMSh, namazi do të falet në orën 06:30, ndërsa në orën 06:35 do të mbajë hytben (fjalimin) e Kurban Bajramit, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.

Komuniteti lut të gjithë besimtarët që të respektojnë masat e mëposhtme të sigurisë ndaj sëmundjes së COVID-19;

• Marrja e abdesit të kryhet në shtëpi.
• Të mbahet maska nga çdo besimtar.
• Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
• Mbajtja e distancës fizike gjatë faljes.
• Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
• Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami.
• Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.
• Të shfrytëzohen materialet dezinfektuese në hyrje të cdo xhamie.

Gjithashtu KMSh ka urdhëruar të gjitha myftinitë në rrethe që të marrin masat e nevojshme të sigurisë për faljen e namazit të Kurban Bajramit nëpër xhamia, duke respektuar të njëjtin protokoll.

Kujtojmë që këtë vit, pandemia e koronavirusit ka ndryshuar mënyrën e organizimit të kësaj feste. Pelegrinazhi vjetor i Haxhit (vizitimi i vendeve të shenjta në Arabinë Saudite) ka nisur të mërkurën në Arabinë Saudite, por me numër shumë të kufizuar për shkak të sëmundjes. Ministria për Haxh dhe Umrah e Arabisë Saudite ka thënë muajin e kaluar se vetëm “një numër i kufizuar i myslimanëve” që jetojnë në Arabinë Saudite, do të mund të jenë pjesë e organizimit.

Rituali pesëditor i Haxhit është njëra prej pesë shtyllave të Islamit dhe çdo besimtar duhet ta kryejë të paktën një herë në jetë, është obligim për secilin mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin. Çdo vit, më shumë se 2 milionë pelegrinë nga 180 vende të botës udhëtojnë në Mekë, kryeqendrën e fesë Islame, në atë që zakonisht është një prej organizimeve më të mëdha fetare.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu