Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, dita nis me lutje nëpër xhamia (VIDEO)

Ditën e sotme besimtarët myslimanë festojnë njërën nga dy festat e tyre kryesore, Kurban Bajamin (Bajrami i Vogël). Mëngjesi i sotëm për ta nisi me faljen e namazit të Kurban Bajramit dhe lutje nëpër xhamia, për t’ia lënë vendin më pas urimeve dhe vizitave tek të afërmit.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit ritet e kësaj feste të shënuar ndryshuan. Falja qendrore e namazit nuk u realizua në Sheshin “Skënderbej” apo në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” siç është traditë në vendin tonë, por u bë nëpër xhamia, me qëllimin për të shmangur grumbullimet e mëdha për shkak të pandemisë së sëmundjes COVID-19.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vlerësoi që falja qendrore të bëhej në Xhaminë e “Kokonozit” në zonën e Pazarit të Ri, në Tiranë. Falja e namazit në të gjithë Shqipërinë u bë në orën 06:30 të mëngjesit, ndërsa në orën 06:35 u mbajt edhe një hytbe (fjalim) nga kreu i KMSh, Haxhi Bujar Spahiu.

Në faqen zyrtare të KMSh në “Facebook” është ndarë drejtpërdrejt ceremonia qendrore në Xhaminë e “Kokonozit”, e cila filloi me lexim Kur’ani.

Myftinive të rretheve iu kërkua nga Komuniteti që në çdo xhami të zbatoheshin të gjitha masat e përcaktuara kundër përhapjes së COVID-19, ndërsa besimtarëve iu kërkua që:

• Marrja e abdesit të kryhet në shtëpi.
• Të mbahet maska nga çdo besimtar.
• Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
• Mbajtja e distancës fizike gjatë faljes.
• Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
• Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami.
• Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.
• Të shfrytëzohen materialet dezinfektuese në hyrje të cdo xhamie.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu