Bulqizë/ Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, mëngjesi nis me faljen e namazit në xhami

Bulqizë | Ashtu si anembanë Shqipërisë dhe botës, edhe besimtarët myslimanë të Bulqizës festojnë ditën e sotme njërën nga dy festat e tyre kryesore, Kurban Bajramin, festë kjo e cila simbolizon sakrificën, sinqeritetin, paqen, dashurinë dhe mirëkuptimin.

Që prej orës 06:30, qindra besimtarë të Bulqizës u mblodhën mëngjesin e sotëm në xhaminë “Ebu Hanife” të qytetit, për të falur namazin e Kurban Bajramit, për të bërë lutje dhe për të dëgjuar fjalimin e prijësit (imamit).

Riti i faljes u udhëhoq nga Myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri, i cili në fjalën e tij përpara besimtareve tha se sot është një ditë e veçantë nga ditët e tjera të vitit, duke shtuar se kjo është dita kur të gjithë duhet të respektojmë njëri-tjetrin, duke lënë mënjanë mëritë dhe hidhërimet.

Myftiu Strazimiri u shpreh se besimtarët myslimanë i nënshtrohen vetëm Zotit, duke shtuar se një mysliman i vërtetë nuk rrëmben pasurinë e tjetrit, ruan nderin dhe nuk e prish bashkëjetesën.

Kurbani, – tha ai, – tregon dashurinë që ka një prind për fëmijët e tij, që kanë njerëzit për familjarët e tyre, të afërmit dhe shokët.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit ritet e kësaj feste të shënuar ndryshuan. Falja qendrore e namazit për Shqipërinë nuk u realizua në Sheshin “Skënderbej” apo në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” siç është traditë në vendin tonë, por u bë nëpër xhamia, me qëllimin për të shmangur grumbullimet e mëdha për shkak të pandemisë së sëmundjes COVID-19.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vlerësoi që falja qendrore të bëhej në Xhaminë e “Kokonozit” në zonën e Pazarit të Ri, në Tiranë. Falja e namazit në të gjithë Shqipërinë u bë në orën 06:30 të mëngjesit.

Myftinive të rretheve iu kërkua nga Komuniteti që në çdo xhami të zbatoheshin të gjitha masat e përcaktuara kundër përhapjes së COVID-19, ndërsa besimtarëve iu kërkua që:

  1. Marrja e abdesit të kryhet në shtëpi.
  2. Të mbahet maska nga çdo besimtar.
  3. Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
  4. Mbajtja e distancës fizike gjatë faljes.
  5. Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
  6. Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami.
  7. Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.
  8. Të shfrytëzohen materialet dezinfektuese në hyrje të cdo xhamie.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu