Ndryshimet kushtetuese/ Rama: Marrëveshja nuk është prekur në asnjë pikë të sajën

Tiranë- Ndryshimet kushtetuese të miratuara një ditë më parë në Kuvend, nuk prekin marrëveshjen e 5 qershorit të arritur në Këshillin Politik.

Gjatë një interviste televizive, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “sigurisht që ky ishte momenti kur këto mund të bëheshin dhe u bënë dhe patjetër që ishte gjëja e duhur. A mund të ishin bërë më parë? Sigurisht, nëse do të ishin kushtet, por kushtet u krijuan së fundmi dhe ne bëmë më të mirën për t’i shfrytëzuar për të sjellë një risi të rëndësishme kushtetuese që i hap rrugën pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin zgjedhor me një zë më të fortë, pasi nuk do të zgjedhin vetëm partinë që duan, por edhe deputetin”.

Rama tha se marrëveshja e 5 qershorit lidhet me administrimin zgjedhor.

“Zero. Marrëveshja lidhet me administrimin zgjedhor kryesisht, me disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në zbatimin e tij, ndërkohë që risitë kushtetuese lidhen me mekanizmat korrektues, që rrisin fuqinë e qytetarëve në vendimmarrje. Nuk ka asnjë interferencë”, deklaroi Rama.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi se marrëveshja nuk është prekur në asnjë pikë të sajën. “Nuk ka lidhje fare, janë teknikalitete që kanë të bëjnë me formulën e koalicionit që nuk është më e njëjta, por koalicioni parazgjedhor do të jetë përsëri i mundshëm, për ato parti që duan të kthehen në një subjekt të vetëm dhe të kenë listën e tyre të përbashkët”, tha ai.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu