Nëse do të më kërkohej t’i vija një emër kësaj vere, padyshim do ta quaja Vera e të Rinjve Dibranë

Opinion nga Almira Zebi Xhembulla, deputete e Kuvendit të Shqipërisë:

Nëse do të më kërkohej t’i vija një emër kësaj vere, padyshim do ta quaja Vera e të Rinjve.

ATA guxuan dhe ia dolën, për vete, por edhe për ne. Janë disa në të gjithë qarkun e Dibrës. Të presin me perzemërsi, të shoqërojnë në mal e në bjeshkë, të udhëheqin në shtigjet e gjata, të bëjnë të provosh adrenalinën e lundrimit në lumë, të tregojnë histori e të çojnë në muze dhe në fund të ftojnë në shtëpitë e tyre ku bashkë me nënat duararta të gostisin me gatimet e mrekullueshme të zonës.

Ky ishte ndoshta një nga sezonet turistike më të vështirë që ka njohur Shqipëria, por edhe ndër më të bukurit në Dibër, kjo falë këmbënguljes, pasionit dhe dëshirës për ta kthyer atë në një destinacion edhe në verë.

Ata nuk janë pesimistë.

Ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe neve na takon t’u gjendemi pranë dhe t’i shumëfishojmë përpjekjet e tyre akoma më shumë.

ATA nuk japin mend nga larg për Dibrën, si disa nostalgjikë të së shkuarës, ATA punojnë këtu çdo ditë me shumë dashuri për të. E di, është e vështirë, sfiduese, e lodhshme e mbase jo aq fitimprurëse ende, por ata e duan këtë vend dhe i lidhin dëshirat e tyre me të. Ata nuk janë si disa politikanë që bëhen dibran kur fillojnë fushatat. Ata janë gjithmonë e do të jenë aty deri sa të realizojnë ëndrrën e tyre.

Ka nga ata që janë kthyer nga emigracioni. Disa të tjerë kanë përfunduar studimet. Ka edhe shumë prej atyre që nuk janë larguar për asnjë moment. Por, tek të gjithë vë re një dëshirë, pasion dhe këmbëngulje për t’u admiruar.

Ata janë kërkues, dinë të ngrejnë zërin dhe të gjejnë mundësi.

Ata kanë prekur çdo shteg, kanë lexuar historinë, njohin traditën dhe janë bashkëkohorë e mendjehapur. Ata janë krenarë për çfarë përfaqësojnë e nga vijnë.

3-4 vite më parë shikoja disa prej tyre që shoqëronin prindërit në panaire e festa dhe gëzohesha shumë kur dëshmoja se nuk kishin komplekse. Sot ata në të shumtën e rasteve kanë marrë drejtimin e familjeve dhe janë bërë shtylla e bizneseve familjare.

Kryefjala e kësaj vere janë këta të rinj e të reja që u bënë protagonistë në shumë emisione e dokumentare, në mediat kombëtare e në rrjetet sociale.

Ata nuk e shohin njëri-tjetrin si konkurrentë, ata janë ekip. Bashkëpunojnë, ndajnë eksperienca, krijojnë rrjete dhe bëjnë përpjekje maksimale të kënaqin dibranët e të përmbushin pritshmëritë e vizitorëve.

Këtë vit patëm shumë pak turistë të huaj, por faleminderit të gjithë atyre që zgjodhën të vizitojnë Dibrën. Dibranët kanë filluar të rikthehen me dëshirë. Më e mira do të ishte që kush ka mundësi të rikthehet edhe me investime e me ide.

Padyshim që me përfundimin e Rrugës së Arbrit edhe investimet në zonën tonë do të shtohen, por investitorët dibranë duhet të jenë të parët që të vlerësojnë këtë mundësi e të kontribuojnë për vendlindjen e tyre.

Këta djem e vajza do doja t’i përmendja të gjithë me emër, por jam e bindur që ata e dinë që i kam në mendje. Me shumicën prej tyre kam patur mundësi të ulem, të diskutoj e ku kam mundur edhe t’i ndihmoj, por e vetëdijshme se duhet edhe më shumë.

Ju, pinonierëve të turizmit të mirëfilltë në Dibër ju jemi mirënjohës.🙏
BRAVO dhe vazhdoni kështu.👏👏👏
Jeni krenaria jonë. 🙌

Fotografia e Almira Zebi Xhembulla

Fotografia e Almira Zebi Xhembulla

Fotografia e Almira Zebi Xhembulla

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu