Trump: Hoti dhe Vuçiçi e bënë botën më të sigurt

Uashington | Marrëveshja e nënshkruar javë më parë mes Kosovës dhe Serbisë, po vazhdon të komentohet ende nga Amerika. Vet presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sot ka thënë se ajo ditë ishte historike, kur Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizim ekonomik.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka quajtur të jashtëzakonshëm guximin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të shkuar më 4 shtator në Washington për ta nënshkruar marrëveshjen e arritur.

Në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit së fundi është publikuar një citat i Trump, ku shprehet se Hoti dhe Vuçiç e kanë bërë botën më të sigurt me veprimin e tyre – nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik.

“Është dashur guxim i jashtëzakonshëm nga Presidenti i Serbisë, Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Hoti për të nisur këto bisedime dhe për të ardhur në Washington për ta finalizuar këtë angazhim. Duke vepruar kështu, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt. Është vërtetë ditë historike. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizim ekonomik”.

Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në ceremoninë e marrëveshjes ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan, Donald Trump i cili e ka cilësuar si historike marrëveshjen mes dy vendeve.

Trump mund ta vizitojë Kosovën

Presidenti amerikan Donald Trump është në kërkim të datave për një vizitë në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar Emisari Special i tij për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell në një intervistë për një radio në gjuhën serbe Chicago.

Grenell ka thënë se administrata e Trump do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë vetëm se duhet të gjendet koha e përshtatshme për Shtëpinë e Bardhë që të realizohet një gjë e tillë.

Ish-ambasadori amerikan në Gjermani u shpreh se personalisht ka inkurajuar presidentin amerikan që të vizitojë rajonin, por që nuk kanë akoma ndonjë afat kohor në mendje apo datë të saktë se kur do të ndodhë një vizitë e tillë.

“Unë personalisht kam inkurajuar presidentin Trump që të vizitojë Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin dhe të shoh fuqinë e ekonomisë se sa është e zhvilluar atje, Presidenti Trump ka thënë se mezi pret që të shkojë por nuk kemi data apo ndonjë afat kohor në mendje. Por pengesa e parë që të kthehet fokusi në Shtëpinë e Bardhë për të bërë një gjë të tillë është tejkaluar, ne duam ta bëjmë vetëm duhet të punojmë që të gjejmë kohë që do të ishte e përshtatshme për Shtëpinë e Bardhë dhe Këshillin Kombëtar të Sigurisë, të cilët do të përfshihen në këtë për së afërmi. Ne mezi presim dhe jemi të fokusuar në këtë”, ka thënë Grenell.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Washington, kanë arritur marrëveshje për normalizim ekonomik.

Marrëveshja është nënshkruar në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Pas takimit në Uashington, Hoti dhe Vuçiq janë takuar më 7 shtator në Bruksel, ku kanë njoftuar se kanë hapur diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për çështjet pronësore dhe financiare.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu