Vendoset e ardhmja e Marash Kumbullës, talenti shqiptar një hap larg Romës

Dueli i ashpër mes Interit dhe Lacios eliminoi nga gara Juventusin, por edhe klube angleze si Mançester Junajtid e Totenhem apo edhe Borusia Dortmund, por në mënyrë të papritur, Roma ka surprizuar këdo paraditen e djeshme.

Klubi kryeqytetas, i fortë edhe pas ardhjes në krye të miliarderit amerikan Dan Fridkin, jo vetëm që ka parakaluar këdo, por ka në dorë kartonin e Marash Kumbullës. Pikërisht kështu, talenti i Veronës dhe i Kombëtares së Shqipërisë pritet që t’i bashkohet në orët e ardhshme “Ujkonjës”, pasi klubet në fjalë nga dje kanë nisur edhe shkëmbimin e dokumentacionit për “diamantin” 20-vjeçar kuqezi.

Kumbulla, i cili ishte pa dyshim zbulimi më i madh i sezonit të kaluar në Serinë A, duket vetëm një hap larg Romës dhe sigurisht që përderisa edhe Marashi ka thënë “po”, ka mbetur i kënaqur jo vetëm nga garancitë teknike, si titullar i skuadrës, por edhe nga oferta ekonomike, e cila është më e larta edhe kundrejt asaj që ofronte Interi dhe Lacio.

10 MILIONË RROGË – Fakti që Roma dhe Hellas Verona kanë shkëmbyer dje dokumentacionet, pikësëpari konfirmon se tratativa është në një fazë më shumë sesa të avancuar. Presidenti Seti ka pranuar ofertën e huazimit me detyrim blerjeje verën e ardhshme, për 30 milionë euro, menjëherë pasi Roma i ka shitur nën kosto Veronës Mert Cetin (kushtoi për 7 milionë euro, ndonëse turku vlerësohej 13 milionë nga verdhekuqtë), me 23-vjeçarin që pritet të jetë zëvendësuesi i Kumbullës te Hellasi.

Kjo tratativë e mbyllur shumë shpejt mes dy klubeve konfirmon marrëdhënien e shkëlqyer mes tyre, por edhe faktin se në orët e ardhshme pritet të përfundojë me sukses edhe kontrata me Marash Kumbullën, të cilin në Romë e pret një kontratë 5-vjeçare dhe me një pagë që përveç 2 milionë eurove neto në sezon, do të ketë edhe një seri bonusesh deri në 500 mijë euro të tjera.

E thënë ndryshe, me kalimin në kryeqytet, Kumbulla do të ketë të sigurta 10 milionë euro në total për 5 vite, por edhe një bluzë prestigjioze për të luftuar për kualifikimin në Champions sezonin e ardhshëm./panoramasport

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu