Shtyhet votimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe votimi nen për nen në Komisionin e Ligjeve

Tiranë- Ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor do të shtyhet dhe nuk do të votohet në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend ku ishte vendosur si afati i fundit për miratim.

Arsyeja e kësaj shtyrje mësohet se është drafti i PD dhe LSI i dorëzuar ditën e diel në Këshillin Politik raporton Report TV.

Mazhoranca pret të gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën parlamentare, duke dalë në një draft të përbashkët vetëm për listat e hapura, e më tej t’i hapë rrugën PD-së dhe LSI-së për të shqyrtuar në Këshillin Politik propozimet që opozita jashtë Kuvendit solli në moment të fundit.

Të gjitha këto diskutime priteshin të bëheshin për dy ditë dhe pikërisht koha e shkurtër ka bërë që Kuvendi të shtyjë datën e miratimit për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor dhe t’i lë palëve politike më shumë kohë në dispozicion jo vetëm PS dhe opozitës në Kuvend, por dhe diskutimit të propozimit të opozitës jashtëparlamentare në Këshillin Politik.

Gjithashtu është shtyrë edhe votimi nen për nen nesër në Komisionin e Ligjeve. Dita e martë pritej të ishte gjithashtu mjaft intensive në Komisionin e Ligjeve ku draftet e PS dhe opozitës parlamentare do të kalojnë nen për nen, por edhe kjo është shtyrë.

Duket se palët politike do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të arritur në një konsensus për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor edhe pse një gjë e tillë duket e largët, pasi PD nuk heq dorë nga koalicionet parazgjedhore dhe kërkesa e saj për të kërkuar mendim nga OSBE/ODIHR.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu