Takimi përmbyllës me FMN-në/ Denaj: Rikthim në ritmet pozitive të rritjes ekonomike nga viti 2021

TIRANË- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, sot zhvilloi takimin (virtual) përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Yan Sun.

Ky mision është në kuadër të mbikëqyrjes së rregullt, që FMN bën për vendet të cilat kanë një pozicion krediti (stok të huamarrjes) në FMN mbi nivelin prej 200 përqind të kuotës, që vendi zotëron në FMN.

Ky mision filloi në datë 17 shtator dhe përfundoi ditën e sotme. Gjatë misionit u diskutuan çështje të rëndësishme të financave publike dhe ekonomisë së vendit.

MEF bën të ditur se “gjithashtu diskutua mbi situatën dhe vështirësinë ekonomike që vendi po kalon si rrjedhojë e dy goditjeve të forta të njëpasnjëshme që mori, fillimisht nga ajo e tërmetit të 26 Nëntorit, dhe menjëherë pas saj nga pandemia Covid-19”.

Misioni i FMN dhe Ekipi i MFE ndanë përgjithësisht të njëjtën pikëpamje mbi vështirësitë dhe recensionin që pritet të ketë viti 2020 në tërësi, si dhe mbi pritshmëritë për të rimarrë dhe rikthim në ritmet pozitive të rritjes nga viti 2021 e në vijim për afatin e mesëm, me supozimin bazë, se intensiteti i pandemisë do të vijë në ulje.

Të dy palët theksuan rëndësinë që ka dhënia e mbështetjes për shtresat (familjet dhe bizneset) më të prekura nga efektet e goditjeve dhe gjithashtu rëndësinë që ka mënyra e dhënies së kësaj mbështetje.

Palët theksuan nevojën për mbështetje të përkohshme, të targetuar mirë, dhe transparente. Qeveria Shqiptare ka adresuar shpërndarjen e mbështetjes gjatë periudhës së parë të pandemisë për bizneset e vogla, bizneset më në nevojë, personat e larguar nga puna gjatë pandemisë dhe qytetarët më vulnerabël (personat në pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike).

Palët ndanë të njëjtat pikëpamje mbi rëndësinë e rikthimit në një kohë sa më të shpejtë drejt konsolidimit fiskal dhe krijimit të hapësirave fiskale.

FMN u rekomandoi autoriteteve që t’i rikthehen sa më shpejt një politike fiskale konsoliduese, kryesisht duke u fokusuar tek përmirësimi i sistemit tatimor dhe mbledhjes së të ardhurave, por gjithashtu edhe tek përmirësimet në frontin e shpenzimeve buxhetore.

Qeveria Shqiptare do të vijojë me një politikë buxhetore që ruan një nivel mesatar të investimeve publike në 4.5 përqind të PBB në vitet 2021-2023 duke stimuluar formimin e kapitalit fiks bruto në ekonomi, thelbësore për të mbështetur nivele relativisht të larta rritjeje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

FMN përgëzoi autoritetet për vendosjen tashmë të një ankore të re në ligjin organik të buxhetit, rregullin fiskal që bën të detyrueshëm një balancë primare jo më të vogël se zero duke filluar prej vitit 2023 e në vijim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi pozitivisht angazhimin dhe përpjekjet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, si dhe njëkohësisht vuri theksin për zgjidhjen me instrumente të përhershëm të kësaj çështjeje.

Qeveria Shqiptare në vitin 2019 ka rimbursuar 23.5 miliard lekë TVSH dhe ka arritur një stok 0 për kërkesat FIFO në fund të vitit. Përgjatë vitit 2020 janë dhënë gjithashtu 10,1 Miliardë lekë për rimbursimin e TVSH-së, pavarësisht situatës së pandemisë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar mirëpriti gjithashtu përpjekjet e autoriteteve shqiptare në kuadër të luftës kundër parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit përmes ndryshimeve ligjore të vitit 2019 dhe 2020, këto të fundit të lidhura drejtpërdrejt me planin e veprimit të firmosur me FATF pas vendosjes së Shqipërisë në monitorim të shtuar. Rëndësi i vuri përpjekjes për vijimin e punës së strukturave në këtë fushë.

Gjatë Misionit u diskutua gjithashtu gjerësisht mbi risqet e ndryshme që rrethojnë financat publike dhe ndërmarrjen e veprimeve adekuate që do të minimizonin këto risqe.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj, ritheksoi se prioriteti kryesor i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në afatin e mesëm e në vijim mbetet rikthimi qartësisht drejt konsolidimit fiskal,uljes së borxhit publik dhe minimizimit dhe mbajtjes gjithnjë nën mbikëqyrje të fortë të risqeve fiskale.

Në vitin 2019, Qeveria Shqiptare miratoi ndryshimet ligjore duke eliminuar mundësinë e propozimeve të pakërkuara me përjashtim të sektorit të energjisë dhe porteve/aeroporteve, duke reduktuar incentivat e propozimeve të pakërkuara dhe duke përmirësuar mënyrën e zbatimit të procedurave për dhënien e koncesioneve/PPP.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi rolin e shtuar të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në mbikëqyrjen e PPP, raportimet periodike e kryera në kuadër të këtij funksioni dhe ftoi autoritetet të vijojnë angazhimin e tyre drejt kufizimit të ofertave të pakërkuara në kuadër të projekteve të Partneritetit Publik Privat.

Palët shprehën falënderimet reciproke për bashkëpunimin e ngushtë, mjaft të dobishëm dhe të vijueshëm midis dy institucioneve./atsh

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu